AT` ANTON HARAPI per shqiptaret !

DUKE KUJTUAR ATË ANTON HARAPIN (1888-1946)

“A e dini se çdo ndërtese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt e themelit t’njiasaj binaje t’cillen sot e quajm Shqypni.” (fjalët e fundit ne gjyq ku e denuam me vdekje)

– At Anton Harapi- (1888-1946)

esht autori dhe veprimtari kryesor ne procesin e Pavarsis se Shqiperise (nga perandoria osmane)… ne kontakt te ngushte, direkt me Kaizerin e Austris…

… “Gjergj Kastrioti eshte shqiptari i madh, i cili me gjenialitetin e forces dhe burrerise shprehu me te vertet nje ideal njerezor, por ne te njejten kohe edhe idealin shqiptar: po ashtu edhe pellazgu me i madh eshte Homeri, me i madhi grek eshte Eskili, hebre eshte Isai, Taciti romak, Dantja italian, Shekspiri anglez,Geteja dhe Kanti gjerman…

Po Krishti Kush eshte? Ai nuk eshte gjeniu i grekve, as i hebrejve, ai nuk eshte as i vjeter as modern. Kush eshte Krishti pra? Ai nuk eshte nje njeri i kohes se vet. Ai eshte i vetmi njeri qe perfaqeson ter njerezimin dhe eshte vet Njeriu.

…Krishti eshte per te gjithe njerzit e te gjitha koheve dhe vendeve. Ai eshte modeli qe perfaqson gjith Njerzimin.

Sa me madheshtor eshte personi i Krishtit, aq me e çuditshme dhe me e perkryer eshte vepra e Krishtit.”…

– Anton Harapi (1888 – 1946) –

frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar

…..

Njerëz si Anton Harapi, lindin vetëm njëherë në 500 vjet, dhe kështu, dashje pa dashje, i ka zili e gjith bota…

Vepra e tij më e lartë patriotike e publiçistike është:

“Vlerë Shpirtërore”,

ku ai iu drejtohet intelektualve korçarë më 1936, në dialektin e tyre (duke qen vet shkodran), duke ua paraqitur botën e madhe dhe botën shqiptare në një “gotë me ujë”…

nji video e At`Zef Pllumit, i cili ka qen nxanes direkt i At`Antonit, i Fishtes, i Shllakve, i Sirdanit etj me rradhe…  E kam fut ne kete format At` Zefin, sepse ai eshte deshmitari i gjalle i asaj çfar flitet per ata burra. Shifni dhe degjoni At` Zefin, e do kuptoni kush ishin ata. Ai flet si ata, mendon si ata, vepron si ata, qendron si ata, deri ne fund…deri sa vendosi te ike, duke e lene veten te bluhet per se gjalli prej merzis se patregueshme qe i shkaktuan “ata” qe ai vet gabimisht i rriti e quajti “te vetët”… i quajti “nipa”, “dishepuj”… por që ne fakt e tradhtuan, e hidhëruan, e helmuan… dhe ai iku i pakënaqur nga kjo botë, paçka se luftoi gjith jetën e tij e u dha pushtet ekonomik e politik atyre të cilët në fakt ai vetë i quajti “shtazë”… jo bime, as njerez jo se jo, por shtaz…! Mes tyre ka emra “ekslentë” të jetës politike, e publicistike shqiptare…😦

“Pader, per mu bota ndahet ne tri shkall: ne bim, ne shtaz e ne njerz ! Prej ktyne te funit kam taku shum pak ! “- thoshte personalisht At Zefi ne bised e siper me te .

……

e tani, le t`i kthehemi At` Anton Harapit…

Shkruan:Ullmar QVICK

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet pas zhdukjes së një prej intelektualëve më të shquar shqiptar të këtij shekulli, Atë Anton Harapi. Duke pasur parasysh faktin se pak prej shqiptarëve sot njohin këtë njeri të kulturës dhe politikës, i cili gjatë periudhës komuniste vetëm u përmend si ”tradhëtar dhe armik”, vendosa të shkruaj një lloj prezentimi të tij, njëmend fragmentare dhe me boshlleqe.

PAK FJALË PËR JETËN E ANTON HARAPIT

Anton Harapi ka lindur në Shirokë afër Shkodrës. Pas mësimeve të para në Shkodër ai kreu mësime të larta në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjës Françeshkane të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum” dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve.
Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Ky post qeveritar në kohën e okupacionit gjerman në Shqipëri vulosi fatin e Atë Antonit. Pas fitorës së Ushtrisë nacional-çlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist.
Në qershor 1945 një kompani ushtarësh erdhi në atë zonë për të kapur priftin antikomunist, dhe në ditën e tretë e gjetën në atë shtëpi ku kishte marrë strehim. Ai u zbulua për arsye se kishte lënë një protezë dhëmbësh në një gotë uji mbi parmakun e oxha ut. Mbrapa vatrës ishte një vend i fshehtë ku rrinte patër Anton Harapi.
Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit. Nuk dihet ku gjendet varri i tij.

RËNDËSIA E ANTON HARAPIT SI SHKRIMTAR

Përveç artikujve dhe studimeve në fushat e kulturës, artit, filozofisë dhe sociologjisë Atë Anton Harapi ka botuar edhe librat Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet (Shkodër 1925), Vlera shpirtërore (Shkodër 1936) dhe romanin psikologjik Andrra e Pretashit që më parë u botua në vazhdime në revistën Hylli i Dritës (1933-1940). Si vepër e plotë posthume u ribotua në Romë më 1959. Në vitet e fundit fondacioni Hylli i Dritës ka botuar një vëllim me veprat Vlera shpirtërore, Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, që mund të porositet prej Kuvendit françeskan në Tiranë.
Siç ka vënë në dukje studiuesi Shpend Shpata, Edukata ose Mirërritja e Fëmijëvet është përkthim e veprës së pedagogut A.Herget, të cilin Anton Harapi ka ditur ti përshtasë moshës së re shqiptare, duke pasuruar pedagogjikën shqiptare me elemente të pedagogjisë botërore.
Vepra e dytë e Harapit, Vlera shpirtërore, ka pasur si qellim të dëshmonte se besimi katolik nuk është kundër diturisë e përparimit, as kundër aspiratave të njeriut, as kundër ndjenjave kombëtare.
Kryevepra e Anton Harapit, Andrra e Pretashit, kushtuar bashkëveprimtarit të tij të dashur Luigj Gurakuqi, ka vlerë të madhe dokumentare, etnografike, psikologjike dhe filozofike mbi jetën dhe idealet e shqiparëve të krahinës së Grudës, ku Harapi shërbeu si famulltar në vitet 1918-19. Në këtë vepër ai jep pamje nga jeta e tyre të përditshme por synimi i tij kryesor ka qenë thjesht kombëtar: fiset e Hotit dhe të Grudës, t¨mbetura jashtë kufirit politik të sotëm, janë thjesht shqiptare. ”Me veprën e përvuejtë të virtyteve shqiptare do ta ngrehim madhinë e kombit tonë” – shkruan Harapi.

MENDIMET SHOQËRORE-POLITIKE TË HARAPIT

Anton Harapi me të vërtetë ishte kundërshtar i rreptë i komunizmit në formën e bolshevizmit stalinist. Ai kishte kuptuar herët, se prapa fjalëve mashtruese për barazi dhe drejtësi shoqërore fshihej një realitet krejt tjetër. Tragjika e Anton Harapit mbetet në pranimin e tij të tezës së hidhur ”armiku i armikut tim duhet të jetë miku im”. Ai pranoi pushtimin gjerman si mbrojtje kundër komunizmit, sepse nazistët gjerman ishin armiq të betuar të popujve sllav në përgjithësi dhe të Bashkimit Sovjetik në veçanti. Por dihet se nazistët gjerman vazhdimisht kryenin krime të tmerrshme kundër vlerave më të larta të njerëzimit. Kur gjermanët dështuan dështoi edhe bota e Anton Harapit. Nuk dihet çfarë pushtet real ka pasur ai si regjent, çfarë përgjegjësi kishte ai për ngjarje si ajo e 4 shkurtit 1944 kur u vranë shumë komunistë të Tiranës në shtëpitë e tyre. Një gjë është e qartë: ishin komunistët që filluan masakrat dhe nxitën luftën civile. Gjermanët nuk donin të cenonin shqiptarët me zaptimin e Shqipërisë, vetëm donin të luftonin kundër forcave komuniste. Në këtë luftë në shumicën e rasteve ata që u bënë viktima ranë në luftë midis komunistëve dhe nacionalistëve apo si viktima të masakrave dhe represaljeve në këtë luftë civile.
Roli i Anton Harapit gjatë Luftës së dytë botërore duhet ndriçuar në mënyre shkencore përmes një hulumtimi objektiv. Për këtë nuk egzistojnë ende parakushtet. Më lehtë pasqyrohen parimet që ka shprehur në rrethana të ndryshme, të cilat dëshmojnë se kishte pikëpamje përparimtare patriotike. Shumë herët në studimet e mia të shqipes, në një libër mësimi të albanologut të shquar gjerman Maksimilian Lamberc, gjeta një tekst të përsosur për Shkodrën dhe Korçën, në të cilin Anton Harapi tregon patriotizmin e tij shqiptar , pa rezerva krahinore apo fetare. Në një fjalim që mbajti në vitin 1936 në një rast shumë tragjik, kur dy shqiptarë nga jugu, patriotët Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, ishin vrarë nga dora mizore në Shkodër, Harapi jep qartë mendimet e tij për parakushtet e nevojshme për të ardhmen e Shqipërisë:
”Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta eshtën, shembllesë ideali, forcë dhe bashkimi, t’i shtrîjmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e me besën e burravet, me besën shqiptare, të lidhemi për t’i a mbajtë shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhé të lumtun, për ta bâm Shqipnin e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T’i diftojmë, po, botës se shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e njiheri shqiptarë të njimendët.”
Kur situata në Shqipëri në fund të luftës u bë shumë e nderë për nacionalistët, miqtë e Harapit e këshilluan të mërgojë jashtë vendit por ai refuzoi:
”Kam punue për Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pasë me pret. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë s’i tradhëtova. Me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do të vdes.”
Për fatin e Atë Anton Harapit shkruan Prenk Gruda në Ditarin e vet nga Tirana me datë 15 fruer (shkurt) 1946:
”Gati mbas nji vjeti torturash shnjerzore nëpër burgje, në Shkodër në fillim, mandej në Tiranë, Pater Anton Harapin e gjykuen për vdekje, pa kurrfarë fajit dhe dje paradritet e pushkatuen.
Kishës Katolike iu shtue nji i shêjtë e kombit shqiptar edhe nji martir i shquem. Atdheu mbeti pa nji patriot shumë të madh, pa nji burrë me virtyte e tradita kreshnike të lashta. Qe gjithmonë i gatshëm, me përpjekje e vepra në shërbim të Shqipnisë, si askush tjetër i kohës së tij pa qellim shpërblimi, gja qi dihet prej të gjithë shqiptarëve.”
Për patër Antonin jepet kjo karakteristikë në Ditarin e Prenk Grudës:
”Oratori i përvujtë, mësuesi e edukatori i ndërgjegjshëm, afruesi i vëllaznimit të shqiptarëve dhe shkrimtari tejpasë e shumë i mprehtë, e njomi me gjakun e pastër tokën e të parëve, të cilës, bashkë me besimin në të Plotëfuqishmin, ua kishte kushtue jetën dhe, pa droje aspak, u flijue për atdhe. E vranë tradhëtarët mercenarë të Moskës e të Beogradit për hyllin e kuq të pansllavizmit, sepse adhuronte Zotin e Shqipen e Gjergj Kastriotit. Zhdukën hijen, por jo veprat monumentale të Pater Harapit, të cilat do të përkujtohen gjithmonë me nderim prej shqiptarëve të vërtetë, ashtu sikurse e çmojshin përherë edhe Patër Antonin.”

FATI TRAGJIK I NJË INTELEKTUALI ANTIKOMUNIST

Gjatë procesit të montuar politik Anton Harapi dha testamentin e tij shpirtëror përpara gjyqit, me këto fjalë që kundërshtuan me krenari pretendimet komuniste:
”Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”
Dhe Prenk Gruda na kallëzon më tej:
”Në gjyq i hodhi poshtë akuzat e thaniet e trupit gjykues për dënim si tradhëtar jo nga populli, por nga anmiqt e kombit qi trillojnë shpifje. Theksoi burrnisht me fakte pafajsinë, tue mos pranue me lypë falje. U tha: ”Zoti pastë mëshirë për ju, qi nuk jeni tue dashtë me dijtë se çfarë krimesh po bani kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qinda të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, por për tragjedinë qi keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit!”
Fjalët e fundit e Harapit në gjyq përmbajnë një profetësi: ”Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqe e Drejtësi do të fitohet.” Me përmbysjen e regjimit komunist në pranverë të vitit 1992 u vërtetuan këto fjalë.
Regjimi i Enver Hoxhës ishte pa skrupuj, pa parime normale njerëzore. Dhe më e keqja në veprimtarinë politike të Enverit ishte gatishmëria e tij të flijojë të gjitha vlerat kombëtare dhe humane për hir të pushtetit. Serbomëdhejtë shpirtligë dinin me mjeshtëri të përdornin persona si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për qëllimet e tyre, për të shkatërruar elementet më të mira të popullit shqiptar që ishin kundërshtarë të sllavo-komunizmin. Rrëfimi i Prenk Grudës në Ditarin e ditës 20 shkurt është shumë kuptimplotë:
”Profesor Kolë Shiroka ka konfidencë të madhe për çdo gja me mue. Ka gruen ruse. Ajo asht përkthyese besnike e Enver Hoxhës për gjuhët rusisht e serbisht. Si femën nuk asht durue pa i diftue të shoqit, në besë, me njiqind porosi për me e mbajtë sekret tregimin e kobshëm, për çka paska sajue me ba Beogradi në Shqipni kundër klerit katolik.
”Mbas vrasjes së Patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thanë se i gjithë kleri katolik shqiptar asht Patër Antona, prandej për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, qi me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa ma parë. Ata janë të lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe të spiunazhit të kapitalistave imperialista.”
Dhe Prenk Gruda bën përfundimin:
”E atëherë a ka se si besohet shestimi i kësaj katastrofe për ne prej Beogradit? Pse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistat serbë nuk e hjekin qafet klerin e tyne, qi gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikë?!…”
S’kam kurrfarë dyshimi përsa i përket korrektësisë se arsyetimit të Prenk Grudës. Dora e ndytë e Beogradit ka infektuar, ka helmuar edhe jetën shqiptare, jo një herë por gjithmonë!
Fati tragjik i Atë Anton Harapit na tregon: kur faktori i jashtëm negativ është shumë i fortë, vetëm një faktor i brendshëm që është më i fortë dhe pozitiv mund të shpetojë një popull të vogël nga kiameti. Situata e Shqipërisë në fund të luftës së dytë botërore ishte tejet negative. Kjo mund të thuhet p.sh. edhe për Finlandën, por populli finlandez u shpetua nga kthetrat sovjetike për arsye të forcës së bashkimit të tij kombëtar. Edhe komunistët finlandez, natyrisht me zemër të vrarë, shkuan në luftë me ushtrinë kombëtare, kundër armikut sovjetik! Ishte ky bashkim që dëshironte Anton Harapi ndër shqiptarët, dhe për këtë ideal luftoi dhe vdiq ai. Dhe realizimi i këtyre idealeve është edhe më i rëndësishëm, edhe më i ngutshëm në ditët tona, sepse edhe sot populli shqiptar është i ndarë, i copëtuar. Të mos harrohet për asnjë çast!

….

Në ceremoninë e përcjelljes nga Shkodra (ku u vranë pabesisht në pritë) së eshtrave të CERCIZ TOPULLIT e MUCO QULLIT…

…. (thone se ne ate dite, ka qene prezent e ka mbajtur fjalim edhe Enver Hoxha???!!!)

… po postojme ligjeraten (fjalimin) e Anton Harapit ne Shkoder, ne ceremonine e percjelljes se eshtnave te dy Atdhetareve tane te medhej, Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, per ne vendlindjet e tyre, Gjirokaster e Leskovik.

Ky fjalim brilant e i pashoq ne oratorine shqiptare, u mbajt ne 14 Shtator te 1936-es ne qender te Qytetit te Shkodres, ne pranine e mijra e mijra qytetareve Shkodrane si dhe te perfaqsuesve te qyteteve Gjinokaster e Leskovik e nga gjitha trojet shqiptyare.

Teksti eshte kopjuar sipas revistes ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.

**********************
DY LOTE E NJE BETIM
(Anton Harapi)

Ndalnju ! Ku veni, o burra ?!…

Çerçiz e Muço, dy fjale ka me ju Shkodra kreshnike, ketu ne log te kuvendit, para se te ndaheni.
Doni t’a leni Shkodren, te shkoni e te pushoni atje, ku se pari pat t’amblat rreze te diellit, ku, si filiza te shendoshe, gezueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !

Le te levdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindet per jete, por grime ma pak s’do te gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqet, por u lindet per atdhe.
Njimend se ato u dhane tamblin e gjiut, e u jane nana te natyreshme, por ju tashma, nuk jeni njerez te zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptaresh, jeni kreshnike, jeni burrat shqipetare; e si te tille u priti e ju mbajti, si te tille sot me gezim u percjell Shkodra, lama e nana e kreshnikise s’uej .

Jo, nuk u leshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthun ne te dyja faqet, thekshem pa u lëmuem te dy krahet, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.

Eshtën te pamort, u falem ! Te pavdekshem, po, pse nder veme t’ueja rueni nje visar te çmueshem, njat ide e cila e patrandun do te jesë ndër ne deri sa te jete Shqipnija.

E udha e mbare u qofte !
Veç, o burra, qi vdekun, flitni ; te mbetun, ngjalleni; te hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnise, deh, leshonje nje za, at zanin t’uej kumbues si te luajvet, diftoni djelmnise shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani te pavdekshem.

Diftoni, po, se ka e do te ket Shqipni deri sa te kemi e te mbajme nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa te dalin Shqiptare fatosa; ka dhe do te kete Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjalle te vloje ne kujtim e ndër ndjesi te Shqiptarvet, deri qi ne Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, te çmohen e te madhnohen themeluesat e atdheut.
Kemi pse te jemi e te mbahemi Shqiptare, deri sa te shenjta te ruhen besë e burrni.

Me të tanë fuqine t’uej vigane m’i a bani nje urim Shqipnise; m’i ndillni te mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.
Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a leshoni kulshedres se re, rrymvet derrmuese, qi po e brejne jeten shqiptare: atyne po, te cilet thone se po bashkojne e na shkaterrojne: levdohen per dashuni, e na qesin mënin e fitmen, duen te na mesojne e po na zhburrnojnë.
Heu ! ata mos qofshin, e Zoti i vrafte njata, te cilet duen t’i lane Shqiptaret pa bese ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.

Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, te bardhe qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej me tregon se kush jeni, vdekja e juej me dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend ate per shka ju rat preja e dores mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine qet e ç’ besim patët, më mjafton te dij se besuet ne nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mesyt Shkodren per strehe atdhetarije, per lamë veprimi, per strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin qe ju perkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, nder te vdekunit e pavdekshem, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkoder, moj mizore ! Si s’u ngine ma njihere me gjak ? Deri kur ma do te m’i a kendojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka asht ne ty, qi dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa ne jete, si te gezojshesh ma fort per te mbetun se per te gjallë? Me shka ma mund do te shuhet ajo etja e jote, qi tashma sot te rreshkë e te pervlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose , pse sikurse ne djep t’and perkunde burrat e maleve, ashtu ne prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdohere ne vdekje pave shpetimin; ne therori ,fitimin; ne burrni, forcen. Mizore po, por fisnike, pse nderër e burrni i pate gjithmone per piri.
Zotnij te ndritshem ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhe te gjate. Mirrni kto visare te çmueshme, e shkoni. Por para se te niseni, eni ketu, e mbi keta eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme doren shoqishojt, Toske e Gege, muhemdane e te krishtene e me besen e burravet, me besen Shqiptare, te lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit te pa prekun nje Zot te vertete, nje atdhe te lumtun, per te bame Shqipnine e re, te forte e te madhnueshme, te denje per Skenderben.
T’i diftojme, po, botes, se Shqiptaret jane njimend burra; se mund te jemi Tosk e Gege, muhamedane e te krishten, e njiheri Shqiptare te njimendët.

Zoti i vertete e atdheu le të na bashkojne, Zoti e atdhu te na mbajne;
Me Zot e me atdhe te lumnojme !

************************’
veme – embrion
per piri – per natyre, per doke.

Një mendim mbi “AT` ANTON HARAPI per shqiptaret !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s