PENELOPA E ULIKSIT

PENELOPA E ULIKSIT

 (marrë nga Libri: ALBANOPOLI-Qyteti që Dua ,  fq. 30)

Kujtimi i nderit të saj kurrë s’do të shuhet
dhe zotat e pavdekshëm do t’frymëzojnë,
njerëz të gjallë që këngë gjithmonë t’i thurin,
të urtës Penelopë sa t’jetë jeta.
E tillë nuk është aspak e bija e Tindarit
që ra n’gabim të rëndë se ngriti dorën
kundër atij që e mori nuse virgjër.
(pjesë nga Odisea)

    

Pyetja më e famshme është: “Pse?”, “Pse ndodhin gjërat?”. Përgjigja ime është: Sepse gjërat janë krijuar vetëm njëherë! Ato janë të shkruara diku lart, e për këtë arsye ndodhin duke u përsëritur sipas ciklit të tyre. Sipas të gjitha gjasave ka një Shkrimtar atje lart, që i përgatit të gjitha. Ne jemi vetëm lapsi i Tij. Ndërsa bota ku jetojmë është fletorja në të cilën ne lëmë gjurmët që na janë përcaktuar.

Kështu pra, ndjesitë, ngjarjet, rastësitë e kanë një kuptim, por vetëm nëse lexohen me kodin e duhur, me kodin e Shkrimtarit të të gjitha kohërave*. Edhe vetë Homeri ishte një laps në dorën e Tij… ose pse jo, vetë përfytyrimi dhe imazhi i Tij, i Shkrimtarit  Suprem, i Krijuesit, i Regjisorit të të gjithë ekzistencës. Ditët tona janë të mbushura me ngjarje. Të miat pak më shumë, ndaj edhe kam vendosur edhe t`i rrëfej.

**************

Pas një orvatje të lodhshme gjithë ditën, me disa specie të çuditshme ose mbetje urbane, dmth me disa tipa pa format, pa ide, pa mundësi dialogu dhe pa shpresë, kuptova se ndihesha i lodhur. Pushova pak por ashtu shtruar, dalngadalë, pa u këputur menjëherë në atë gjumin tmerrshëm që i poshtëron njerzit, i fut në kllapi, i anullon nga bota e të gjallëve për or e or të tëra. Kështu pasditja u afrua bukur lehtë, dmth erdhi ajo ora
biologjike kur mashkulli do të dalë përsëri nga shtëpia.
Isha i frymëzuar apo në një frekuenc monotonie standarte, nuk di ta them. Por mbaj mend sigurisht se isha shumë i bezdisur nga episodet bajate të ditës. Dhunë antienstetike në çdo moment, pa patur mundësi për t`i evituar. E si kundërpërgjigje në kësi rastesh, mendja ime i apelohej gjithnjë qytetërimit…në mënyrë të pandërgjegjshme, për të kërkuar ngushëllim, e madje madje pse jo, edhe shpëtim. Pikërisht, ose saktësisht, i pari në listën e shëruesve të gjendjes sime, ka qenë dhe mbetet gjithmonë Homeri, e pastaj të tjerët me radhë. Ai tregon botën që nuk e perceptojmë dot dhe na e bën të duket e bukur, me ngjyra. Nuk gënjej aspak kur them se ai më është shfaqur gjithmonë si gjyshi, si babai i mamasë sime. Plak bardhosh, i mençur, këngëtar, fjalëpakë, i cili i donte shumë njerëzit dhe delet.
Po pse mendja më shkon gjithmonë te Homeri?! Mister.
Lidhje gjenetike apo thjesht rastësi?! Jo.
Në fakt një lidhje ka. Eshtë ngjashmëria dhe familjariteti i pashmangshëm duke filluar që nga figura e gjyshit tim, e më pas në vazhdim me racën e rapsodëve tanë të maleve.
Pa diskutim se këtu ndikon dhe fakti që ai, Homeri, është rasti i shkëlqyer kur njeriu tejkalon çdo sfidë, që di të flasë e të shkruajë edhe atëherë kur nuk sheh dot prej verbërisë së syve.
Me këtë frekuencë mendimesh, dola. Në mendjen time banonte Homeri. Por ndërkohë që ecja, para syve të mi shfaqej horrori i tentativës së dështuar për urbanizimin e këtij qyteti. Pallatet e lagjes sime, banorët e saj, kokëtrashët me shikime idioti që urrejnë çdo gjë që jeton, por mbi të gjitha vetveten. Dhe ecja ime vazhdon më pas në rrugët e njohura, le të themi rrugicave të qytetit, ku përsëri s`shihet asgjë për t`u mahnitur. Shto këtu edhe sjelljen apo ecjen e tmerrshme të qenieve sub-urbane, që kanë ngjashmëri të
pakeqkuptueshme me  e emisionit “Quark”, dmth majmunët hipopotamët etj, dhe je fare i paqetë, pra jo i gatshëm për të takuar apo për të ndarë pasditen me dikë. Një miku im thotë: “Or vlla, kta nuk të japin kohë, apo armëpushim as të kujtohesh se si e ke emrin, emrin që t`ka von baba! Duhet të vritesh e të theresh me kta çdo minutë.”

Po a kishte lidhje bota homerike apo vetë gjendja homerike me këtë kaos pseudo-metropolitan, i cili nuk është gjë tjetër veçse një makth sub-urban, një nevojtore e madhe në qiell të hapur ku levizin pa rreshtur krimbat e fryrë në trajtë njerëzore?! Jo. Kontributin e kobshëm për ta larguar sensin e qytetërimit dhe ngjashmërinë me Homerin nga jeta e njerëzve, e kishin dhënë shekujt dhe standardi i dobët i qenieve të riprodhuara me një skarsitet cilësor të patregueshëm.
Po vazhdoja të ecja vetëm pra. Pse jo, çfarë të bëja tjetër ?! Doja ajër! Ajri më ish rralluar shumë nga këta idiotër të riprodhuar me kafshë.

Situatat, njerëzit, gjysmë njerëzit, me emër, pa emër, me fuoristradë, pa fuoristradë, trungje pemësh me diplomë të blerë, që “rivalizonin” me njerëz shumë të mençur, të cilët kishin diploma prestigjioze, thjesht më kishin bezdisur shumë. Ashtu kot,
pa ndonjë shkak të veçantë, po i shkoja në zemër problemit ditë pas dite. Bezdinë realisht po ma jepte njësoj si dje nën regjim, mania për ta ngritur në piedestal trushkulurin dhe për të dënuar dhunshëm e me përbuzje, madje me përjashtim denigrues të diturin.

Tanimë ky ishte një problem i përgjithshëm, individual e shoqëror, ku në fokus
mbetej sistemi. Personalisht e kisha edhe më të rëndë se shoqëria e tër, pasi i kisha ngritur jashtë mase nivelet e ndjeshmërisë. Në fakt, i gjithë sistemi ishte fajtor, por sa para` bën ky konkluzjon?!
Kisha dalë të rrija vetëm e të shëtisja vetëm, të meditoja a të harrohesha diku nëpër qytet, rrugëve të tij… por më besoni, nuk është kaq e thjeshtë. Kur vitet që të lidhin me qytetin tënd janë shumë, e ke të vështirë të gjendesh vetëm. Prandaj, pa e humbur fillin e këtij episodi, po e them shkurt: Kjo është histori e gjatë.
Këtu patën ardhur gjyshërit e mi rreth 100 vjet më parë, të cilët kanë kontribuar me të gjitha mënyrat e mjetet që ky të bëhej kryeqytet. Këtu janë lindur prindërit e mi, të cilët kanë kontribute edhe ata në të njëjtën rrugë mundimesh për një jetë më dinjitoze, për një qytet më të mirë. Po kështu edhe un`, jam lindur e jam rritur këtu, në këtë qytet, i cili është më shumë se kaq, është pak a shumë kryeqytet.
Që të flasim drejt, pa ngjyrime poetike apo lokaliste, vlen të thuhet se ky është një vend ku ka shumë elemente të peperosura, me interes e me shije… Ka diell 300 ditë në vit. Ka vajza të bukura pa fund, por që fatkeqësisht janë vetëm të bukura. Ka plot gjëra që mund të ta japin kënaqësinë e të jetuarit në stil ekzotik, gati-gati si në Kubë… Ka afër Liqenin, malin e Dajtit, kodrat e Saukut e të Kërrabës, të Farkës me liqenin e madh natyral; po ashtu ato të Pezës e të Zallherrit, të Prezës, Ibës, lumenjtë e tij argëtues, por në fund, të gjithë e ndiejmë se mungon diçka. Mungon stili.

Këtu historia njerëzore e mrekullia e natyrës të kalon përpara syve dhe të përqafon*. Po flasim për një vend që dikur paska qenë qytet i begatë, e nuk e kishim ditur. Albanopoli, kryeqyteti i albanëve, i atij fisi ilir nga të cilët kemi marrë edhe emrin ndërkombëtarisht?! Po po, jetojmë pa e kuptuar mirë në një fushë e gjerë dhe e gjatë të cilën e përshkojnë tre lumenj, me klimë mesdhetare të mrekullueshme ku ende sot rriten të gjitha frutat e tokës. I rrethuar me 13 kështjella−fortesa që mesa duket kanë shërbyer përgjatë shekujve  për ta mbrojtur nga pushtuesit shkatërrues, të cilët, për pezmin tim e të stërgjyshërve të mi, ia dolën mbanë ta kthenin në rrënojë arkeologjike… E lanë nën baltë, të harruar.
Por le të vazhdojë jeta, e kaluara iku! Albanopoli tashmë fle nën këmbët tona.
Edhe pse jo si dikur, jo aq mirë i urbanizuar, jo me ndërtesa madhështore si do të dëshiroja, jo me njerëzit e duhur, ky mbetet gjithsesi kryeqytet. Ashtu i fjetur, ai më pëshpërit e më zbulon vetveten.

Kërshërisë dhe krenarisë sime, i mbeten tani për fat rrënojat e mureve
antike, mozaikët, gërmimet arkeologjike. Mbetet ende e gjallë fryma që e ngriti dhe e përcolli deri tek un*.
Këtu ka sigurisht papastërtira organike, industriale dhe humane, që na bezdisin fort, por ka edhe frymëzim. Me njëmijë e një surpriza, kurthe, lajme, aksidente, ngjarje,
barsoleta, lidhje−ndarje, me histori e me mistere të vjetra fort, ky është kryeqytet dhe si i tillë ka zhargonin e tij që e dua aq shumë. Në një mënyrë komunikimi që askush nuk mund të më ndalë e gjithkush mund të më kuptojë. Zhargon që e zotëroj më së miri me dëshirë, madje edhe e përmirësoj. Po ashtu e përditësoj sipas zhvillimeve dialektike, sepse jam pjesë e tij, që në ato kohë kur shumica dërrmuese e njerëzve apo dhe moshatarëve të mi, e quanin turp përdorimin e zhargonit. Tani arrij t`i kuptoj qartë!
Ishin thjesht viktima të antiestetizmit e provincjalizmit të viteve 80-të dhe të një pseudo−kulture shterpë soc−realiste, ku dominonte boshllëku shpirtëror dhe dhuna ndaj artit në përgjithësi. Kjo luftë konkretizohej me dëshirën e errët mbytëse të gjithçfarë provincjali për të ardhur në kryeqytet dhe ishte gati-gati si lufta e Trojës, me shumë viktima e pabesi.

Pa diskutim baballarët, por dua të kujtoj se edhe disa moshatarë të mi të atyre viteve, kur ne ishim vetëm 15-16 vjeç, bënin garë për t`u rekrutuar nga Sigurimi famëkeq i Shtetit. Kjo sigurisht kish ndodhur gjithmonë, por gjatë viteve 1985-1987 ishte tepruar, më së shumti nëpër provinca. Motivimi i këtyre “midhjeve helmuese” ishte tepër tepër i ulët. Ata thjesht synonin ardhjen në Tiranë me çdo kusht. Dhe për të realizuar këtë ishin gati të bënin të pabëra e të pathëna, gjëra në fakt i vunë në zbatim disa vite më vonë. Dolën në origjinë. Shkatërruan dhe përdhunuan çdo sens njerëzor e qytetar. Sot 15-16 vjeçarët që dikur rekrutoheshin nga Sigurimi i Shtetit, “shërbejnë me devotshmëri” në jetën publike. Kush si drejtues emisionesh TV, kush si “profesorë” apo “oratorë mediumesh”, e kush si ministra me portofol. Deri këtu kishte ndikuar mungesa e lirisë së njerëzve për t`u shprehur. U kishte marrë ndërgjegjen
dhe personalitetin që në moshë të pubertetit. I kishte zhveshur nga mundësia për të menduar. Nuk po mungonte më vetëm liria si gjendje, si sistem, problemi ishte se nuk kishte më njerëz të lirë, me mendim të lirë. Shkolla e krimbave dhe e vemjeve, që u kthyen në “midhje helmuese”, e moshatarëve të mi të provincës pra, të cilët ndiqnin këshillat e dajave për t`u shitur në tregun e fëlliqur të pushtetarëve që të vegjël, po merrte superxhiro, po merrte hov. Për ata e për të gjithë, asokohe ishte e ndaluar të ndiqje shkollën mijëvjeçare të trashëgimisë kulturore iliro−shqiptare, albanologjinë e kulluar. Vetëm se, pati edhe prej atyre, shumë pak le të themi, që iu shmangën këtij detyrimi obskurantist e nihilist. Njëri prej tyre jam edhe un`. Ato kohra u tregova i heshtur dhe dinak. Por sot ama sot ndihem mashkull. Ndihem krenar që kam qenë etiketuar ndryshe prej atëherë. Kam një dëshirë të papërmbajtshme për t`i ftuar në debat publik këta këlyshë të shpërfytyruar të atij sistemi të helmuar.
Hajde gjeje shenjën e Homerit po deshe dhe lidhjen që mund të krijojë me këtë realitet! Normalisht, duhej të imponohej me prepotencë Shekspiri në “teatrin tonë mesjetar”, me këto histori e me këta njerëz që fatkeqësisht ende i shohim, çdo ditë, vërdallë nëpër media apo përpara turinjve, me ambasadorë të huaj në dreka e konferenca.

Vetëm se Homeri nuk të pyet, nuk të merr leje kur vjen e zë vend në refrenin e jetës sate. Kjo ndodh sepse ai, sado tradicional e i vjetër, ndjek, ushqen dhe përkëdhel me sharmin e tij, individët që vetë ai i përzgjedh, sidhe botën e tyre estetike. Figurat
e tij, personazhet e tij, situatat, stili, ritmi dhe forca krahasuese e aktualitetit me ditët e sotme, mbeten frymëzim. Më japin frymëzim. Pjesa tjetër, vazhdimi i jetës mes këtyre gjallesave të shëmtuara dykëmbëshe, helmuese, është kronikë.
Kështu pra, ajo pseudo−kulturë gënjeshtare dhe shtypëse, tentoi të na bënte të gjithëve njësoj, një format, të shëmtuar. Krijoi si pa u kuptuar edhe “shkrimtarë të mëdhenj”, që e fillonin karrierën në repartet e shërbimeve sekrete. Mbanin edhe tesera partie, si garanci për të thënë çdo gjë, e për të bërë më shumë se ç`kishin bërë.

Shkarravitës të vegjël province por që e mbanin veten me të madhe në kornizën e “shkrimtarit”, falë posteve drejtuese në partinë ku militonin. Ata ose shkruanin marrëzira bajate duke i thurur lavde sistemit, ose debutonin duke botuar idetë dhe romanet e të tjerëve. Romanet e atyre që dergjeshin në burg për faktin se zotëronin talente të padëshirueshëm prej regjimit, për frymëzimin e tyre pa kufi dhe për dinjitetin e tyre të pashoq. Sistemi nga ana e tij, kërkonte minj të vegjël province, pa shtyllë kurrizore dhe pa talent. Kërkonte zvarranikë të përshtatshëm me mjedisin përreth, “midhje helmuese” të cilët nuk krijuan dot asgjë me vlerë deri në momentin që partia u besoi retushimin dhe riformatimin e mendimit që u ishte grabitur korifenjve të
ndrydhur në burg. Ata “njerëz” të asaj partie kuçedër, që hante edhe bijtë e vet, shpronësonin nga i vetmi kapital që kishin, nga dorëshkrimet e tyre pra, nga pasuria e tyre e vetme, intelektualët e vërtetë*. Këta, shkrimtarë partiakë*, nuk u mjaftuan por
dolën nëpër botë të pispillosur, me ambicie të pasosur dhe me etiketën e “krijuesit epik modern” për të kapur tregjet e çmimeve prestigjoze të botës së publicistikës. Jo vetëm kaq, sepse faktikisht u prezantuan si ajka e ajkës, profesionalisht e moralisht, duke kërkuar atë që s`u takonte, nderin dhe paratë që zakonisht i perkasin një shkrimtari të madh.

Kjo gënjeshtër me pasoja të rënda ndodhi nën hundët tona, nën sytë e veshur me mjerim të një populli që ata vetë e shkatërruan, qëllimisht, për t`i ndryshuar udhën.
Ndërkohë bota mbarë, priste lajme nga “vendi i shqiponjave”, nga vendi i vogël e i varfër që po shuhej në agoni. Por bota nuk e dinte dhe nuk u thellua të kuptonte se çfarë krimi i shëmtuar ishte konsumuar e po konsumohej ende në këtë vend. Përveçse nga jeta e tyre, nëpërmjet likuidimit fi zik, burrat e rrallë të historisë ishin grabitur edhe në krijimet e tyre, në idetë e tyre, që do të transformoheshin më pas nga dora e squllur e ziliqare e një apo e disa karrieristëve pa zhargon në kryevepra të njohura  ndërkombëta-risht.

Një burrë i mençur i qyetit tonë pat thënë: “Katunarët në qytet, Atdheu në rrezik!”.

Këta ishin e kundërta e asaj që un` dhe të tjerë dëshironim si model për veten tonë atyre viteve. Këta ishin errësira dhe ende sot nuk ndalen, njësoj si atëherë kur nuk ecnin dot rrugëve të vetëm, pa qenë krah për krah me zv. ministrat e Brendshëm të asaj kohe të. Pavarësisht kronikës, pa u ardhur fare turp, ata duan dhe synojnë patjetër çmimin “Nobel”.
Në vitet 90−të, që vijuan me lirinë e mendimit e të botimit, ata u sollën po njësoj. U hodhën degë më degë, për të tentuar çdo lloj riciklimi të vetvetes, nga “midhje helmuese” në letër higjenike, por në fund mbetën po ata: të vegjël, meskinë, të shëmtuar, antipatikë, arrivistë, të etur për lavdi personale, pa shije estetike*, pa themele dhe pa busull orientimi…
Mund ta themi me gojën plot se ata mbetën maskarenj të vjetër, të veshur me “kostum” të ri. Të regjur e të sprovuar. Asnjë prej tyre, duke filluar që nga “më i ndrituri”*, nuk bëri dot një mea culpa para publikut. Po flasim për “shkrimtarë” të ashtëquajtur të tillë, të cilët bënin kohën me diell e me shi gjatë rregjimit; sharlatanë që funksiononin si oficerë të shërbimeve sekrete, që depërtonin në nivelet e larta të kupolës së regjimit dhe më pas bënin kërdinë në jetën shoqërore, duke shkatërruar jetën e të tjerëve; që fusnin në burg dashnorët e vajzave; që fusnin në burg ata pak qytetarë me mendim të lirë; që urrenin e denigronin shkrimtarët rivalë, të cilët nuk mendonin si ata. Sepse sipas atij anti-morali antiestetik, duhej të rritej e të shkëlqente vetëm fija e barit të tyre. Të tjerët duheshin kositur.

Këtë bëjnë edhe sot. Takohen fshehurazi nëpër skuta, ku shajnë më të mirët. U përgatisin rivalëve kurthe e promovojnë njëri-tjetrin, sipas gradave që kishin dikur nën strehën e sistemit që vet e ngritën. Standardi i antivlerave të tyre, është paaftësia dhe servilizmi ndaj hierarkisë së sistemit. Kjo është e pashmangshme në provinca të errta e të mbyllura, ku mungon drita, ku mungon jeta, ku mungon konatkti me  Shkrimtarin e të vërtetave Supreme.
Në gjithë këto mendime të imponuara nga realiteti, para syve më dalin vetëm disa këlyshë kurvash. Nuk shoh më dot Homerin. As Uliksin e fitoreve, as Penelopën. Nuk shoh më fitore.

***************

Këta, që ndërsa ecja rrugës më shoqëronin në mendimet e mia, ishin modeli i provincialit, i “midhjes helmuese” që donte të bëhej shkrimtar me zorr, nëpërmjet teknikave dhe shkollës së shërbimeve sekrete. Ky ishte modeli i shëmtuar i karrieristit pa zhargon, i njëqelizorit që belbëzon me një arsenal shprehës jo më shumë se 300 fjalë të gjuhës amtare.
Un` jo! Un` faktikisht e doja dhe e përdorja zhargonin, e sot jam po i njëjti. Kam shëtitur rrugëve të botës, e sidomos kryeqyteteve, por nuk kam hasur kurrë qytetarë, kryeqytetas, shkrimtarë e artistë që jetojnë pa zhargon.
I mirë ose i keq, ky ishte qyteti im dhe un` i gjendur përballë tij…! Ose më mirë të themi, “mu në zemër të tij” sepse realisht, jam shumë i lidhur me të!
Këto po mendoja gjatë shëtitjes sime, duke vazhduar për nga bulevardi i madh Dëshmorët e Kombit, emërtimi i të cilit më pëlqen… Më pas, drejt liqenit artificial që mbushet me ujë nga liqeni i madh natyral i Farkës, i rrethuar nga parku i gjelbëruar e simpatik i qytetit tim.

Kjo hapësirë publike, joshëse, çlodhëse e argëtuese njëherësh, kjo po, kishte lidhje
me Homerin dhe botën e tij imagjinare. Ishte ndërtuar në një stil borgjez-estetik, gjatë viteve 50−të, me qëllimin për t`iu bashkangjitur stilit roman të të jetuarit në këtë pseudokryeqytet që synonte të rilindte. Është ekzaktësisht versioni binjak i parkut “Villa Borghese” në Romë. Vetëm se te ai i Romës, mungon liqeni, i cili këtu tek ne e harmonizon ndjeshëm të gjithë natyrën përreth. E gjitha kjo për mendimin tim, të fton të bëhesh qytetar e madje edhe shkrimtar.

Desha të shtoj, se në këtë projekt ndërtuar me punë vullnetare, kanë kontribuar personalisht të dy prindërit e mi. Kjo më jep një ndjesi edhe më të afërt, edhe më personale me këtë habitat natyror, të këtij vendi çlodhës, dehës e frymëzues njëherësh. Pas ndërtimit të tij, ky park, u kthye në “teatrin e vogël” natyror të të gjitha emocioneve të adoleshencës. Gati të gjitha dashuritë e qytetit fillonin ose kurorëzoheshin aty, mes pemëve, liqenit dhe cicërimave të zogjve. Aty këndoheshin dhe promovoheshin të
gjitha baladat apo serenatat e vajzave dhe djemve artistë. Për medituesit kishte qiparisa. Për artistët kishte varka druri që rrëshqisnin mbi ujë. Për dashamirësit e sportit ishin ekipet e notit që stërviteshin anës bregut të liqenit, para syve të kalimtarëve. Për sportistët, atletët, kishte oksigjen dhe hapësirë pa fund për t`u stërvitur. Për të dashuruarit kishte aq romanticizëm dhe kushte, sa që herë−herë mendoje se ai ishte
Edeni i vërtetë. Ky habitat e mbronte dhe e izolonte njeriun e lirë nga “ata”, individët pa zhargon të asaj kohe, nga “personazhet e Shekspirit”, të cilët mendonin errët, helmonin frikshëm dhe godisnin pa drita. Ky vend i jepte krahë dhe zemër individit krijues e
individit sportiv. Ky ambient i ftonte ata të tjerët, të paktët, të mendonin dhe të jetonin bukur që atëherë. Për këto arsye e të pathëna pa fund, këmbët më çojnë si pa dashur gjithmonë atje lartë, te Liqeni.
Sot që po shkruaj, “pushtetarët” kukulla të këtij vendi po mundohen ta rrënojnë e ta thajnë Liqenin, për afera të ulëta, për ndërtime prej çimentoje dhe pastrim parash të pista.
Kështu papritur, duke ecur, doli përpara meje një vajzë. Un` kisha dalë të rrija vetëm, por…në rastin tim, më duhet ta përsëris, nuk është kaq e lehtë, pasi njoh dhe më njohin mijra njerëz! Ishte njëra prej atyre qindra apo mijëra njohjeve, ku shumë lehtë ngatërrohet pëlqyeshmëria reciproke, me miqësinë apo me dëshirën për të flirtuar.
Isha duke medituar për qefin tim. Po ecja vetëm. Ajri ishte i pastër, i freskët. Te Liqeni pra! Ky është maksimumi për shijen e një qytetari edhe ditëve të sotme, ku shëtitja me fuoristradë imponohet më e dhunshme se lufta civile në Palestinë…!
Pavarësisht nga kjo, ne, ato pak kokrrat e mbetura të këtij Albanopoli, vlerësonim ende Liqenin, si pika më ekskluzive për të kaluar kohën e lirë brenda qytetit të pushtuar nga makthi i provicjalëve meskinë.

Mes bezdisë sub-urbane, krimbave që imitojnë njerëzit, përfytyrimeve homerike dhe mendimit të tij estetik, mesa duket pati vend edhe për dikë tjetër, që kishte qenë e thënë të më bënte shoqëri atë pasdite të çuditshme. E shoh vajzën që kam përballë tek më afrohet ngadalë. Më qesh. U hutova pak se jena edhe tipa të ndjeshëm ndaj gjinisë
tjetër (dhe jam krenar për këtë). Nga mendimet e lira gati si në ëndërr, te realiteti i gjallë i mishit tundues, i cili çuditërisht afrohet gjithmonë me buzëqeshje të rrejshme. Ishte një fytyrë e njohur, paksa e shëndoshur, me barkun te goja. Mezi e njoha, pasi shtatzënia e kishte transformuar ndjeshëm në kohë të shkurtër, por i njoha buzëqeshjen. Buzëqeshja tipike mashtruese por joshëse që të mund gjithmonë, të vë përfund.
Kjo buzëqeshje gënjeshtare i fiton gjithmonë e gjithkund të gjitha betejat e vogla të vetëvlersimit që femrat ambicioze e kanë të nevojshme t`ia dhurojnë vetes.
Por le të vazhdojnë, në fund fare edhe disftatat kurrizi i tyre i mban!
−Ho mi! – i thashë në gjuhën tonë, në zhargon pra.
−Ç`kemi?− m`u përgjigj ajo.
−Un` mir`. Ti ?
−Mir`, mir`. Ja. Ti ç`na thua?
−Ja kshu, siç më shef!
Duke qeshur, të dy të gëzuar nga takimi i rastësishëm, po shiheshim e po hetoheshim me sy… Ndërkohë vazhdonte ajo retorika e zakonshme e takimeve të përditshme të këtij qyteti, bla bla bla…
Asgjë e veçantë. Thjesht batuta që shkëmbehen kur dy njerëz takohen kësisoj. Por më habiti…! Më habiti bukur! Ishte martuar kjo ish−ja ime. Kishte mbetur shtatzënë dhe ishte shëndoshur pak. Po shëtiste nga Liqeni gjatë muajit të fundit para lindjes dhe po gëzohej që po më takonte pas kaq kohësh. Veç kësaj, kjo ish−ja ime, si me skenar të parashkruar, u bë shkak dhe për ndërprerjen e mendimeve të mia mbi qytetin dhe veten. Më nxori nga ajo gjendja e turbullt dhe serioze, e kujtimeve të mia si me çelës. Sa do të doja që dikush të kishte autoritetin moral dhe forcën t`i drejtohej qytetit dhe njerëzve. Por këtë e bën vetëm Papa në Romë, për Krishtlindje dhe për
Pashkë, në mesazhin e tij “Urbi et Orbi” (qytetit dhe njerëzve).

−Hë! − më tha,-je martuar apo…? Si gjithmon` ti, beqar, lule më lule!
E tha paksa duke qeshur, por toni i përdorur nga ajo kishte brenda edhe doza të larta kureshtjeje!
−Jo! − i thashë. −Lule më lule! Akoma më pëlqejnë lulet!
Por mendja më shkoi te lulja e luleve*, te vesa e mëngjesit, te freskia e verës, te ylli që shkëlqen në errësirë e në dritë*. M`u kujtua e dashura e radhës, një lidhje sekrete që imponohej e tillë prej moshës fare të re të vajzës që dua. Batuta ime i pëlqeu ish-es. U çlodh duke lëshuar një zë të lehtë:
−Eeeeehhh! E di, e di …! − belbëzoi ajo. Dhe ky zë në fakt, për natyrën e saj, ishte një
miratim i pa deklaruar mbi statusin tim prej beqari…! Shkurt, po i vinte mirë, që pas ndarjes me të, nuk kisha gjetur ende “një më të mirë se ajo”. Kjo është gozhda fikse e çdo femre kur sheh ish të dashurin rrugëve apo kudo qoftë. Cinizëm apo egoizëm, nuk e di, por di që te ky rast, ishin të përziera bashkë në ekstrem, në llojin “un` jam e para, un` jam më e mira”…

Sigurisht, ky vetvlersim vjen pa u parë kurrë në pasqyrë. Hajde gjeje pse!
−E kam vajzë! – vazhdoi ajo duke buzëqeshur, e përkëdhelur në sedrën e fëlliqur prej vajze orientale… –dheeeee, po kërkoj një emër të bukur.
−Hmmmmmmmmmm! – lëshova një zë të mbytur, pa folur.
M`u zbukurua e gjithë bota në atë moment.
−Penelopa! − i thashë me nxitim, si për të mos dashur kurrsesi ta humbja rastin e shkëlqyer.

−Të lutem, quajeni Penelopa vajzën!
Dhe papritur isha transformuar në një fëmijë, të cilit sapo i kishin dhënë lajmin se do të kishte një motër. Ndoshta ishte thjesht ndjesia e gëzuar që na pushton kur marrim vesh se dikush po vjen në jetë. Është ndjesi mjaft e bukur.
−Uuu dhe ti tani! – m`u përgjigj ish-ja ime bukuroshe por tyryfyçkë… S`gjete ndonjë gjë më të lezeçme ti?! Më fashion?!
−Eeeeeeeeeeeeeeeeeeee! − i thashë… Ti s`e di se çfarë rasti po humb! Penelopa është … -dhe mora t‘i shpjegoj.
−Ecim pak…!− i thashë dhe vazhduam…
Ndërkohë që ecnim, un` mendoja me vete dhe flisja me vajzën bukuroshe, e cila pas një muaji do të lindte një vajzë ende pa emër.
−Pra, ky i ka të gjitha pjesët e një qyteti, të një kryeqyteti.
Nisa t`i shpjegoj…

−Këtu mungojnë vetëm parkimet nëntokësore dhe banjat publike… ahahaha!−qesha.
Ndërkohë që flisja me të, mendoja “Kjo gjendje është qesharake dhe fshikulluese për egon time prej qytetari! Mungon tramvaji, mungon metroja, mungon reparti policor që pastron rrugët nga qentë vandalë dhe që po ashtu, pastron qytetin nga vandalët yshqyer që u ngjajnë qenve! Edhe vetë kryetarët e bashkisë merren më shumë me qentë se sa me njerëzit. Mungojnë çezmat publike nëpër rrugë, ku fëmijët, gratë apo të moshuarit, mund të bëjnë ç`të duan me ujin, siç bëjnë dhe me diellin. Sepse edhe uji edhe dielli zbresin çdo ditë mbi tokë falas e u janë dhënë dhuratë banorëve të tokës prej Komshiut* tonë të katit të sipërm*.

Ajo më njihte mirë e në fakt vlerësonte tek un pikërisht këtë aspekt, faktin që bisedat e mia i dukeshin si përrallat që i kish pas treguar gjyshja*, e cila nuk jetonte më.
Më kishte lënë ajo mua, jo un` atë. Nuk ishte hera e parë që më kishte lënë një vajzë. Dashurinë e kthenin në urrejtje për motive boshe, për komplekse vajzash pa kulturë, të cilat nuk e dinë se në këtë botë nuk mjafton vetëm të jesh e bukur. Bukuria u mjafton vetëm prostitutave ose fotomodeleve… por edhe ato, nëse nuk janë pak të hedhura apo të ditura, përfundojnë keq.
-Sa mirë që të takova!– më tha.

E kishte sinqerisht.
−Kisha kohë që nuk bisedoja kaq rrjedhshëm… si të them… me dikë afër meje!−vazhdoi ajo…

−Për këtë motiv edhe u largova prej teje, sepse nuk bisedoje më me mua. Kishe humbur interesin ndaj meje dhe më kërkoje vetëm gjëra egoiste… qefet e tua. Ndërkohë që un` mendoja se ti kishe lidhje të fshehta me vajza të tjera, d.m.th. interesa jashtë meje. Më dukej vetja idiote, e pazonja për të qëndruar me ty. Më dukej sikur ti kishe standard tjetër preference për femrat. Dhe në fakt i kishte rënë në të. Kisha standard tjetër, dhe ende e kam… por më pëlqejnë edhe bibat trularaska që në rastin tim krijojnë publik. Më pëlqejnë ashtu kot, sa për të kaluar kohën me to, ndërkohë që ato dëgjojnë, e herë pas here qeshin kot më kot dhe thonë vetëm një “po”.
−Po, po, − i thashë, për t`i bërë qejfi n… −Ke të drejtë! Kot fare të humba dhe e kam brengë në zemër…!
Në fakt po e gënjeja, por vetëm për ta bërë që të ndihej mirë.
−Të lutem, quaje vajzën tënde të vogël Penelopa!
−Jo! – më tha!
Jo−ja e saj ishte e theksuar, kokëfortë! Ishte dëshira e saj e hershme për të më dhënë një shuplakë turinjve. Ishte vetëm budallallëku i saj, i ushqyer nga hakmarrja për të shkuarën. Ish-es sime, po i flisnin instinktet e mbytura e të fshehura prej kohësh, nën lëkurën e bukur të vajzës së hijshme. Po i flisnin zërat që e mundonin prej atëherë kur kishte vuajtur performansën time dhe un s`e kisha kuptuar asnjëherë. Sa keq! Ta shohësh sot, është ende e bukur por vetëm mbi lëkurë ama. Brenda blozë! Kohë të shkuara… sepse vajza është edhe e martuar tanimë. Këtë mendova dhe i dhashë gaz bisedës që kisha nisur me të, duke lënë mënjanë të kaluarën për të vazhduar me argumentin mbi vënien e emrit e vajzës që do të lindte…dhe vazhdova:
−Ti e sheh dhe vetë! Në këtë qytet njerëzit lëvizin edhe me biçikleta që prej kohës së biçikletave “Bianchi”, kur filloi rieuropianizimi i shqiptarëve pas mënxyrës otomane, në fillim të shekullit të kaluar. Apo jo ?!
−Po, po! – tha ajo shkarazi. −Madje së fundmi ka edhe një pikë qendrore ku ofrohen biçikleta me qera afër zones së quajtur “Tajvani”.
−Po, po!−vazhdoi.
−Ka vajza, ka nuse, ka nëna, ka gjyshe në këtë kryeqytet atipik, ku duket sikur mungojnë shumë gjëra por që në fakt jeta u shkon sahat*.
−Eeeeeeehhhh sahat! Leje se kemi njimij halle..!
Ishte përgjigjja shabllon e një vajze të re që ka filluar të mendojë si plakë, që ka mor i cop burr dhe që po pret me bo i kalamo*! Tani problemi më i madh i saj është t`i vendosë emrin vajzës që po vjen… por pa e ditur si dhe pse! Ajo dhe të tjerat si ajo të këtij qyteti, mund të konkurronin për nga hiri e bukuria me Carla Bruni−n apo Monica Belluci−n, por u mungon sjellja e stili, ndjesia, origjinaliteti dhe kultura. U mungon mamaja e duhur, gjyshja e duhur, ajo që i ushqen dhe i edukon vajzat me sekretin misterioz të jetës së bukur, në qytet a në fshat, që në vogëli. U mungon Penelopa*.

E kështu pra, kisha dalë të ecja vetëm, të rrija vetëm, por detyrimisht m`u desh ta ndaja kohën time me gjithë këtë realitet që përshkrova, me mendimet që më kanë pushtuar prej kohës së pjekurisë intelektuale. Pra, po e ndaja kohën edhe me ish−en time. Nuk e ka emrin Aishe. Më vjen për të qeshur nga dykuptimësia shakatore e fjalës. Sa e bukur është gjuha shqipe! Të lejon të biesh në keqkuptim duke bërë humor. “Ish−e” them në kuptimin e ish-të dashurës sime.
−Kështu, kështu kinge! – i thashë…

−Rastësia është mbreti i botës.−themi ne shqiptarët.

Po i merrja krahun bisedës, sepse duhej të tregohesha i matur dhe i dashur me vajzën që e kisha dashur…! Sepse duhet me qen xhentil dreqi e mori, deri në fund… madje edhe mbas fundit të lidhjes. Ato le të bëjnë të tyren, un bëj timen! Qytetërimin nuk e ndërroj për asnjë lloj arsyeje. Për asnjë kusht. Në fakt, këtë qëndrim duhet ta mbajmë me këdo prej atyre me të cilët ndajmë biseda dhe tema kardinale*.

−Është e vërtetë apo jo, që në këtë kryeqytet kur del rrugës, dëgjon lloj-lloj emrash origjinalë a të sajuar njerëzish e kafshësh, të bukur e të shëmtuar? Nganjëherë qentë kanë emra më të bukur se vetë njerëzit*. Shpeshherë qentë kanë edhe surratin më të bukur se pseudo-njerëzit*.
−Po, po! − vazhdoi ajo me retorikën e saj boshe, pa kuptuar fare se ku do dilja.

Dhe pikërisht kjo retorika idiote, më irriton shumë tek bashkëbiseduesit e mi, sidomos kur janë disi të afërt, afër zemrës dua të them. Vazhdova bisedën edhe pse i bezdisur, pa e dhënë veten.

−Në këtë kryeqytet të çuditshëm, takon njerëz të të gjitha gjuhëve e të të gjitha dialekteve, përsëri të bukur e të shëmtuar. Ka shumë oferta për ta vrarë kohën e për ta shpërdoruar bukur apo për ta shëmtuar atë… por ajo që më mungon realisht mi kinge
është Penelopa*! − i thashë.
Ia thashë troç dhe me nerv. Por prapë nuk e morri vesh se për çfarë po flisja.
−Më mungon figura e asaj që gozhdoi botën tek ajo kohë që gabimisht duket shumë e largët, gati e harruar, por që fakt është gjithmonë e pranishme. Më nevojitet shumë imazhi dhe emri i saj për të mos rënë pre e zhargonit tim, e zhargonit standard të të gjithë qyteteve dhe kryeqyteteve të botës, ku çdo situatë apo moment marrëdhënieje mashkull−femër përfundon me një kontakt sportiv… Si të ta them më hapur?! Ne nuk duhemi realisht, por e ndjejmë të nevojshme të kemi kontakte me njëri−tjetrin. Pra, duke mos qenë të aftë të duam, të paditur e të pakulturë siç jemi, tipa interneti apo facebook−u, bijtë e atyre që i thanë vetes “intelektualë”, por që në fakt nuk dinin asgjë, nxënës të një shkolle dhe historie të shtrembëruar, ne bëjmë vetëm seks pa emocione dhe pa vijimësi.
−Oohuuuu dhe ti tani!!! Po pse kot martohen njerëzit ?! Ja pra, që duhen fëmijët! Duhet i cop burr! Edhe ty të duhet i cop gru!
−Jo, jo!− iu përgjigja aty për aty… Nuk më duhet fare i cop gru! Më duhet i gru! Nji si Penelopa*!
Biseda jonë tashmë e kanalizuar qartë, merrte në momentet e saj më të nxehta, ngjyrime zhargoni dhe herë-herë qetësohej e nxirrte në pah njohuritë tona mbi gjuhën standarde, gjuhën e shkollës.

−Më çmene me kte Penelopën! Të paska ngel fiksim noi greke më duket! Ke bo noi rrug Greqie, ke bo…?
−Jo jo. Fare! – i thashë, duke e rimarrë fjalën, për mos ta lënë bisedën të më  rrëshqiste nëpër situata apo dialogje telenovelash kolumbiane.

−Më dëgjo, më dëgjo me vëmendje! Jam duke thënë se u trasha, se dua të njoh dikë, që të mos e cilësoj më si birin e një femre të përdalë*… e për këtë, kam shpenzuar pa fund kohë shumë të çmuar, por mesa duket fare kot. Sa gropa kemi ngrënë gjatë jetës sonë, nga njerëz që na dukeshin si të dashur dhe miqësorë, por në fakt nuk ishin?! Jam munduar pamasë të kuptoj se përse kjo mungesë e gruas simbol*, më krijonte  kaq shqetësim dhe vetëm sot e ndiej, se përsëri, e gjithë kjo situatë ka lidhje me Penelopën*. Ai person, që sot e gjithmonë nuk mund të cilësohet më si biri i një femre të përdalë*, duhet të jetë padyshim vetëm biri i Penelopës*, Telemaku.
−S`po të kuptoj!
−Më dëgjo, më dëgjo!- ia ktheva. – Figura e saj e hijshme por jo provokuese, e thyer në moshë por joshëse, e sertë por e fisme, e kursyer në fjalë por e dashur deri në ekstrem, plotësoi, lartësoi, forcoi dhe përjetësoi figurën e të shoqit. Penelopa* i dha botës figurën e Uliksit* të mençur, trim e fitimtar. Bota ende nuk e ka kuptuar*. Ti e kupton?
Dhe me vete mendova: “E si mund ta kuptoj kjo?!”…

– Por mbi të gjitha ajo, Penelopa*, më krijoi modelin e djalit* të cilin nuk mund ta shash mo dot nga nona* (sipas zhargonit). −Më kupton apo jo?! Sekreti qenka te nëna*! Këta djemtë idiotë që na bezdisin panoramën rreth e qark, dalin pikërisht nga barku i disa nënave që janë shumë larg nga modeli i Penelopës*. Sepse nënat e tyre marrin nga i cop burr dhe pastaj nuk e respektojnë më këtë “copën”, përveç faktit që rrin duke bërtit e duke sha gjith ditën. E po kështu djemtë apo vajzat që dalin nga barku i tyre, janë këta që janë. Pa koment pra, se ti e di dhe vetë shumë mirë se për çfarë po flasim. E them këtë sepse dua që në këtë qytet, të ketë më në fund djem race, djem të mirë, por më parë duhet t`i japim qytetit Penelopën*. Më kupton apo jo ?! Ke rastin që të marrësh pjesë në rindërtimin gjenetik e kulturor të këtij qyteti!

Dhe të gjitha këto ia thashë duke qeshur, si me shaka, sepse nuk e di njeriu i shkretë se si ta marrin këto lloj femrash rrjedhën e bisedës.
− Ça thu me ça thu ?! – ma preu vetëtimthi si dhi e egër…
−Ku do me dal ti me kto muhabete? Me mu e ke?! Shef filma ti anej knej, a ku di gjo un ça librash lexo, dhe ia fut kot m`kot, si t`vi për mar!

Sikur ta dija që do më replikonte. E bëjnë të gjitha këtë marifet, sa herë që nuk kuptojnë diçka apo që mendojnë se ti po i manipulon në bisedë… dhe i futen sherrit qorrazi, me qef të modh, si e si për të kuptuar nëse ka hile në këtë mes apo jo.

−O Zot! − psherëtiva! −Jo, jo, aspak!
Iu përgjigja thjesht për të shmangur tendosjen e mëtejshme
të bisedës.
−Më dëgjo të lutem, deri në fund!− i thashë… Ne, unë, meshkujt e këtij qyteti e të tjerë akoma, mbetëm prapëseprapë burra të vegjël… ose le të themi mesatarë, sa për t`i bërë pak qefin vetes… dhe s`e kuptuam kurrë përse! Shprehja se “pas një burri të madh qëndron një grua e madhe”, më nxori nga ky qorrsokak. Më sqaroi të gjithë historinë e sukseseve të këtyre burrave. Më kupton apo jo?! Por në fakt, modeli perfekt dhe
i vetmi fitimtar, i burrit të madh me Grua të madhe*, mbetet Uliksi. Uliksi i Penelopës*. Më kupto apo jo ?!

Kam zbuluar se kjo shprehje e paperceptuar ende mirë nga katedrat botërore, sa abstrakte aq edhe e qartë, i ka rrënjët e saj me siguri te lidhja misterioze Penelopa-Uliks! Temën e Penelopës misterioze por shumë të pushtetshme mbifi toren e Uliksit, e kam cekur shpesh. Rasti e donte, që mikja ime amerikane, një “vajzë” ke të gjashtëdhjetat,
në mos më shumë, të merrte pjesë një ditë në një diskutim timin me një shoqe tjetër shqiptare. E dashur, e hijshme, elegante, balerinë, këngëtare, njohëse e pesë gjuhëve të huaja, pasanike e krimbur, njohëse dhe shkelëse e të gjitha vendeve të globit dhe e të gjitha rregullave konvencjonale, plus filologe; më korrigjoi duke më parë me sytë e saj blu, duke më thënë: “Nooo Allban ( me aksentin e fortë teksan) ! Një grua e madhe nuk rri kurrë pas një burri të madh, por brenda zemrës së tij… Thellë brenda tij!”. Uuuuoooouuuu!!! Në atë moment, m`u ndez një dritë dhe doja ta puthja e ta përqafoja mikeshën e huaj për këtë ndërhyrje të përsosur në konceptin tim mbi Penelopën… por kishte njerëz. E lëm` fare, se po ta shofësh nga mbrapa kur është me kurriz, e ngatërron me ndonjë gjashtëmbëdhjetëvjeçare, ose me çdo fotomodele braziliane. Nuk dua të flas më shumë se do e teproj, e di…! Kjo grua më sqaroi përfundimisht, se Penelopa nuk qëndronte mbrapa Uliksit por brenda zemrës së tij. Në një farë kuptimi, ndryshe nga ai i zakonshmi që ne njohim, kam rënë në dashuri me këtë grua, që ka energji dhe paraqitje prej vajze!

Ndërkohë që mendimet më fluturonin mbi kokë dhe po më dehnin si gjithmonë, duke fluturuar nga Penelopa, Uliksi, Troja, mikesha amerikane apo jeta bajate në qytet, isha mëse i ndërgjegjshëm se realisht po flisja me një bibë, me një mendjelehtë, që as nuk mund t`i çonte nëpër mend këto biseda. Ku e dinte ajo kush ishte Homeri!!! Ajo mundej vetëm t`i dëgjonte, si përralla nga ato që tregojnë gjyshet. Po fl isja me një nga ato që rriten nëpër shtëpi ku gjyshja apo mamaja ulërasin gjithë ditën duke thënë: “Të hongërt mortja ishallah!”…ose “O të raft i pik të raft … o Zot i modh!” … Por në rregull ishte ajo.
Kishte dalë për xhiro nga Liqeni, për ajër të pastër. Fiks i rrite sahati gjithmon! Kurse bukuria e vërtetë qëndron te misteri, tek takimi i rastësishëm, tek biseda e lirë dhe pse jo, duhet thënë se mua pasioni më kapi kur ajo tregoi interes mbi emrin që donte t`i vinte vajzës që pas pak kohësh do të lindte*. Plus kësaj, ndihesha euforik, nga fija e padukshme
e kësaj historie të lashtë botërore, e cila po më sqarohej bukur, lirshëm e rrjedhshëm, si në një film të cilin ti e sheh ulur, komod, mes gjithë të mirave*. Isha për qejf, për t`u qetësuar, nga Liqeni, në meditim e sipër, gjë që është ilaçi im i përditshëm. Takoj aty
një fytyrë simpatike dhe… çuditërisht po zbërtheja aty, papritur e pakujtuar, sekretin
dhe misterin e madh të fi toreve*. Të të gjitha fi toreve*. Kjo po ndodhte krejt pa dashje, krejt natyrshëm, në një rrethanë shumë shumë normale. Un` e di fare mirë se ky është formati i mistereve. Është i pashpjegueshëm. Eshtë rastësishëm, i natyrshëm në mbinatyrshmërinë e vet*. E mblodha veten që të mos shpërqëndrohesha dhe vazhdova
rrjedhën e bisedës.

−Pra, më kupton apo jo?! Dua të them se ata që u nisën për në Trojë ishin të gjithë trima*! Të gjithë jemi edhe nga pak dinakë në këtë jetë që i ngjan aq shumë luftës. Agamemnoni luftonte në fushëbetejë sa për katër burra. Menelau, vëllai i tij ndeshej si luan e i trembte armiqtë vetëm me hijen e tij. Ajaksi me shtatin e madh dhe fuqinë që kishte bënte të dridheshin edhe malet, jo më njerzit. Akili trim e gjysmë Zot krijonte panik e frikë vetëm me emrin e tij, pa harruar faktin se vrau në dyluftim vetë pasardhësin e mbretit Priam, të cilin e mbronin edhe vetë perënditë. Akili vërtet vrau Hektorin, por ama vetëm Uliksi e fitoi luftën*! Një njeri i vetëm, më kupton?! Dhjetë vjet luftë! Me mijëra të vrarë! Dështime të njëpasnjëshme dhe zhgënjime, përfunduan me sukses vetëm prej këtij Uliksi*. Këtë ruajnë në kujtesë dhe tregojnë ende sot katedrat e historisë, filozofisë e ato ushtarake… Por jo pra zemra ime, jo!− i fola me përkëdheli, prapë në zhargon…

-Lufta u fitua prej një motivi që ka mbetur enigmë në thelbin e tij. Kush i dha kaq fuqi, mprehtësi, siguri dhe ogur të mirë këtij burri, i cili nuk ndryshon shumë prej ne të tjerëve?! Ku qëndronte forca e tij e vërtetë? Perënditë ndihmonin po ashtu edhe Agamemnonin edhe Menelaun edhe Akilin edhe Hektorin. Por ata ose vdiqën në betejë, ose dështuan! Luftën, është thënë, e fitoi Uliksi me dredhinë e tij, me kalin e Trojës. “Jo” them un`! Luftën e fitoi Penelopa*! Një burrë nuk mund të jetë dot kaq i fortë pa një grua si ajo! Flas për burra tokësorë si ne, jo për Hyjni! Një burrë i madh ka gjithmonë mbrapa tij një grua të madhe*. Kështu thotë proverbi mbarëbotëror. Por në fakt është gabim! Ajo grua e madhe nuk qëndron aspak mbrapa tij. Nuk është as më pak e as më e pavlefshme se ai*. Ajo nuk mund të jetë mbrapa tij, në kuptimin retorik dhe banal të fjalës por brenda tij, në zemrën e tij, si një grua e madhe. Si një Zot! Dhe këtë e besoj verbërisht, pasi kemi thënë e vërtetuar sipas shkollës së teologjisë morale, se Zoti është në çdo celulë, në çdo molekulë, në mikrokozmos… Se Zoti është pikërisht aty, te çdo grimcë sado e vogël*, përveçse i Madh në Univers.

Ajo grua pra, mbush, kontrollon dhe forcon zemrën e këtij burri, aspektin e tij shpirtëror, që në respekt të historisë dhe ndershmërisë intelektuale, i takon të jetë Uliksi nga Itaka*. Këtë na ka shkruar Homeri ynë. Ky është sekreti e dashur ish−e! Po më ndjek apo jo ? Apo e ke menjen te flutrat?

−Jo me jo ne ti…! Po pashë ato gocat që po vraponin dhe me iku truni fare, se m`u duk vetja sikur nuk do vi më kurrë në formën e tyre mbas lindjes… − dhe rrudhi ballin duke shtrembëruar turinjtë.
−Hajde mi ti tani! – i thashë për ta ç`dramatizuar situatën… Se do bohesh prap siluet po nuk hongre gjith ditën mish dhe omëlsina pa fund!
−Vazhdo vazhdo, – më tha,.. -se po t‘ nigjoj. Më intereson kjo që po thua.
Kingia me barkun te goja, po më kërkonte që të vazhdoja t`i tregoja përrallën e radhës, pa i shkuar aspak mendja se po kristalizonim gati të gjithë historinë njerëzore, nëpërmjet figurës së gruas së përsosur. Sigurisht nuk po i kuptonte këto pasazhe, por të them të drejtën ishte krejt e habitur, kurioze dhe me ngut për të dëgjuar fundin e përrallës*. Ishte kureshtja e saj, përralla që ajo donte të dëgjonte si dhe fundi i lumtur i asaj përralle, ato që më kishin shtyrë deri këtu. Un` isha thjesht spikeri i momentit. Por diçka e rrallë po lindte në lidhje me këtë takim të rastësishëm dhe bisedën befasuese që nisi thjesht për vënien e emrit të vajzës së ish-es sime.
−Ajo që më mungon sot mi goc, është Penelopa! Luftën e grekëve me trojanët, nuk e fitoi Uliksi, siç thuhet, por Penelopa. Më kupton apo jo?! A ma merr vesh muhabetin?! Ishte ajo që e nisi burrin në luft pa ia bo mikrob! Kurse juve nuk të leni as të shkosh me lujt futboll me shokët. Një mbret i vogël në rang princi ishte Uliksi i Itakës, i cili, nuk duhet harruar, ishte në garë me mbretër të fortë e me emër që kishin shumë ushtarë e
pasuri, por shkoi në luftë me bekimin, sigurin dhe forcën që i jepte gruaja e tij e hijshme, e mençur, e fortë dhe besnike. Ai, në shikim të parë, nuk ishte më i miri, as më i forti, as më i mençuri. Ai kishte në krah Agamemnonin, mbretin e madh të grekëve. Kishte në krah Menelaun, vëllain e Agamemnonit. Kishte Akilin gjysmë Zot! Ajaksin, Patroklin etj., etj.! Të gjithë luftëtarë të pashoq e mbretër të lartë, ata ishin për një qëllim: Të pushtonin Trojën*! Të rrënonin muret e lartë të saj për ta grabitur nga pasuritë e për t`ia zhdukur lavdinë që asokohe eklipsonte Athinën! Historia e rimarrjes së lavires bionde që Parisi me trojanët kishin rrëmbyer, si proces i vënjes së nderit në vend, ishte thjesht një alibi e rëndomt. Ata ishin lëshuar tanimë të gjithë në një drejtim: “O në Trojë o s`ka kthim mbrapsht”! Të motivuar, të uritur për para, luftëtarë të pashoq, njësoj si Uliksi, në mos më shumë se ai… por askush prej tyre nuk ishte në gjendje ta kthente fatin e luftës dhe lojën e perëndive të Olimpit. Madje duhet thënë se vetë perënditë në Olimp ishin ndarë në dy grupe: në pro dhe kundra Trojës. Kështu, fati i luftës kish mbetur në mes. Kish mbetur në mes të udhës së vështirë e të pandershme të këtyre mbretërve, gjoja në emër të një lavireje. Të gjithë kishin mbetur vetëm, të hidhëruar, në dilemë të madhe. Vetëm Uliksi kish qenë i qartë e i thjeshtë që në fillim me bashkëluftëtarët e tij, mbretër e princa. Ai kish thënë “po” për luftën ndaj trojanëve, por vetëm për plaçkë lufte ama, për të marrë pasuri në Trojë, në dobi të popullit të Itakës, që asokohe vuante nga një gjendje e rëndë ekonomike. Ndërkohë, mes dëshpërimit për luftën e tejzgjatur dhe boshe, Agamemnoni, Menelau e Akili ziheshin për dashnoret, për robinjat që kapeshin në betejë. Jo “kjo është e imja…” jo “kjo është e jotja”. Muhabete të fortësh, që përsëriten edhe sot, lagjeve të qytetit, të pseudo-kryeqytetit të mbushur me fshatarë. Turp i modh! Muhabete pa ynyr! Kta burrat kishin shku me pushtu qytetin më të pasur e më të fortë të kohës dhe grindeshin për femra pa shije! Akili mërzitej, qante dhe pinte për t`u dehur, sepse Agamemnoni i kishte marrë bukuroshen robinë që ai adhuronte. Fati i luftës kish mbetur te fundshpina e një vajze, që netëve të luftës mbushte krevatet e burrave me pushtet! Sa turp! Agamemnoni u imponohej të tjerëve, e mbi të gjitha Akilit, me statusin që kishte, si mbreti më i madh grek, për nga numri i ushtarëve dhe paratë që kishte financuar për luftën. Tek kjo pjesë abuzonte ai: “Shiko, se jam un i pari ktu!”,… e si pasojë degjeneronte e gjithë burrnia e burrave të leshit.
Flisja kështu me ish−en time, sepse mendoja që nëpërmjet kësaj mënyre, i vinte më për mbarë ta dëgjonte dhe ta kuptonte bisedën. Në fakt kjo është forca dhe mbijetesa e zhargonit, lehtësia e të kuptuarit nëpërmjet formave praktike−popullore antike.

− Kishin shkuar pra për të fituar luftën dhe meqenëse nuk po ia dilnin mbanë, kërkonin të harroheshin në argëtime peslekëshe, duke pirë nga inati dhe duke qarë për buçet ordinere që mbanin mbi gjunjë e i ndërronin nëpër çadrat e njëri-tjetrit. Dhe
e quanin veten burra! Më kupton apo jo?! Prej tyre, të gjithë mbretër të mëdhenj në emër e në bëma lufte, vetëm Uliksi qëndronte veç e nuk përzihej me dobësitë e secilit prej atyre gjatë të tillave momenteve. Ai mendonte vetëm për luftën, vetëm për fitoren, për popullin e tij, orë e çast. Dhe mendjen e kishte të lirë nga kotësitë. Dhe zemrën e kishte plot me dashuri e me forcë prej Penelopës, e cila ishte fati i tij*.

Sekreti qëndronte diku larg pra, jashtë interesave, thashethemeve dhe dëshpërimeve qaramane të burrave të luft ës. Qëndronte diku brenda shtëpisë së një ishulli të vogël të quajtur Itakë. Aty banonte Penelopa me djalin e saj Telemakun, gruaja që i jepte dashuri, forcë, besnikëri dhe siguri Uliksit. Të gjithë ishin nisur për të mos u kthyer. Ajo priste burrin, fatin e jetës së saj, babain e djalit të saj. Burrat kishin shkuar në luftë. Thuhej se ishin në kërkim të një të përdale. Kërkonin të rrëmbenin një bionde. Thuhej kështu por e vërteta qëndronte tek fakti se ata donin të rimerrnin fytyrën që u pati ikur prej turpit të rënë mbi kurriz. Një bionde kish ikur prej burrit mbret me dashnorin. Asgjë për t`u çuditur! Ishin ngritur të tërë në këmbë për të kthyer botën përmbys, sipas tyre, por në fakt luftrat, e dimë, janë bërë gjithmonë për plaçkë e jo për femra. Ata që shkojnë në luftë për femra mbeten rrugëve. Me pak fjalë: i rruajnë bishtin luftës*. Kështu ndodhi me kta burrat e tjerë… por jo me Uliksin. Ai u nis për në luftë drejt Trojës pa pengje, pa dilema, pa e mbajtur kokën mbrapa nga gruaja, që me bindjen dhe bekimin e saj e kish nisur për në luftë, pa ia helmuar zemrën. Dhe pa harruar se për një grua, është shumë e vështirë ta nisë burrin për në luftë, kur dihet se ai, mund të kthehet ose mund të mos kthehet fare prej asaj lufte. Plus pastaj për faktin, se burri në luftë edhe mund të fitojë e të zërë peng robinja, njërën më të bukur se tjetra… dhe mund të njohë gra të tjera e me to mund të marroset e të çmendet fare, gjë që ndodhi edhe me Uliksin….por pas lufte ama!
Jo pra ! Ajo, Penelopa*, edhe pse i dinte këto gracka kundër interesave të saj, i dha atij bekimin e rrugës, urimin e fitores e të kthimit në shtëpi, forcën që i duhej, sigurinë te vetja, besimin që nuk do ta tradhtonte…dhe ai shkoi drejt. Nuk e ktheu kokën as majtas as djathtas. Nuk u konsumua në episode boshe pa kuptim… si ato të  Agamemnonit dhe Akilit e kështu fitoi! U vonua, u sprovua, u marros pas femrave të tjera sigurisht, por pas lufteama, në kohë paqe, në kohë feste. E në fund u kthye. U kthye tek e dashura, tek e forta, tek e hijshmja, tek e mrekullueshmja, tek Hyjnorja Penelopë*.
Sepse kur të tjerët si Akili, Agamemnoni etj, qanin e jargaviteshin, ai Uliksi, me  Penelopën në zemër, shkonte me kokën drejt dhe zemrën peshë drejt fitores, pa humbur asnjë ekuilibër apo rast për t`u përballur. Dhe fitoi. Fitoi duke e çliruar të gjithë  mençurinë dhe energjinë e tij për luftën*, pa u menduar, pa u qarë e pa u pezmatuar për atë çka kishte lënë mbrapa. Shkoi drejt e në zemër të fitores, me një kalë prej druri. Në fakt kali i fitores, kishte qenë brenda tij, kishte qenë në zemrën e tij dhe quhej Penelopa*.

Kështu pra kinge, të lutem quaje vajzën tënde Penelopa*, sepse ndoshta do të krijojmë modelin e burrave si Uliksi, të cilët arrijnë t`i fi tojnë betejat e mëdha…e sidomos, modelin e djemve që nuk mund t`i shash dot mo nga nona!

O Zot sa forcë, nder dhe lavdi

i dhe atij burri të fortë e aq trim,

pse me fat e bekove që n`atë rini

kur i dhe nuse të hijshmen Penelop*!

Vazhdimin e kësaj bisede e të takimit me ish−en time e quaj krejt të parëndësishëm, njësoj si emri që ajo vajzë mendjelehtë i vuri të bijës pa më të voglin shqetësim. E quajti Griselda! I vuri emrin e një “artisteje” ordinere për të cilën burrat rihen e ndoshta edhe vriten kot, pa fituar asgjë të madhe, madje duke humbur shumë. Më erdhi keq, nuk them se nuk më erdhi, por tek e fundit nuk u habita shumë. Ish−ja ime ishte dhe mbetet një vajzë simpatike, me trup të bukur, që ka mor i cop burr dhe që boni i goc si vetja. Ajo dha shkak të përsëritet historia e lavires bionde, Helenës, që la burrin mbret dhe iku me dashnorin. E refuzoi historinë e bukur dhe dinjitoze të Penelopës, paçka se përralla me të iu duk edhe asaj vetë shumë e bukur! I pëlqeu vetëm si përrallë. Ky është problemi. Sepse nëna e saj, dikur edhe gjyshja, e kanë shtyrë ditën duke recituar refrenin bajat: “T`hongërt mortja ishallah!… T`raft i pik, t`raft !”.
Ec e ec dhe prapë bosh! Shumë oferta ka akoma ky qytet për ta vrarë bukur kohën por Penelopën nuk e kemi ende. Kush e di ku rri fshehur?! Fitore jo se jo! Na duhet patjetër fitorja! Na duhet! Na mungon! Rrugët dhe podiumet janë mbushur me këlyshë kurvash, sepse nënat e tyre, ca copa… “morën ka i cop burr që…! Nëna e budallenjve- thuhet…, dhe e pisave, është gjithmonë me barrë”. Ato të tjerat, të trimave, të burrave,  të luftëtarëve… ato mbeten shtatzënë (jo me barrë, sepse trimi nuk është kurrë barrë as për nënën, as për shoqërinë )… por kjo po ndodh gjithnjë e më rrallë.
Mamaja ime e mrekullueshme, rri e rri dhe citon gjyshen, mamanë e saj, e cila dhe ajo vetë, citonte fjalë për fjalë mamanë e saj dhe gjyshet kështu me radhë, në dhjetëra breza: “Një grua e mirë more djalë, e bën të mirë edhe burrin e lig! Një grua e ligë, e bën të lig edhe burrin e mirë!”.
Ma përsërit mamaja çdo ditë këtë shprehje të vjetër, antike, të fiseve të jugut të Shqipërisë!
Vendi i fituesve të vërtetë ka mbetur bosh. Gra të mira nuk shoh vërdallë. Në Trojë nuk fitoi as kali, as shpata e Uliksit, por zemra e tij e mbushur me atë Grua* të cilën un` e mbaj
në mendje, Penelopën*, sepse zemrën e kam të mbushur me tjetërçka*…. Dhe në fakt kam gjetur shpëtim! Lavdi Zotit!

Kujtimi i nderit të saj kurrë s’do të shuhet

dhe zotat e pavdekshëm do t’frymëzojnë

njerëz të gjallë që këngë gjithmonë t’i thurin
të urtës Penelopë sa t’jetë jeta

(pjesë nga Odisea)

Tiranë, 7 korrik 2011

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s