LUFTA DHE PAQJA, KJO DILEME E MADHE

Skenari  i një “real-film” që përshkruan Shqipërinë post-komuniste

 (marrë nga Libri “un” dhe Dashuria)

“Dua ujë të pijshëm, të pastër, me shije, të freskët dhe të rrjedhshëm. Nuk dua erë të qelbur paqeje postkomuniste.”

 

LUFTA DHE PAQJA, KJO DILEME E MADHE!

 

  -me pendesë të madhe ndjej për detyrë t’u  kërkoj falje lexuesve dhe më pas  mirkuptimin atyre,  mbi ndonjë fjalë të përdorur tek-tuk pak jashtë dekorit, duke thënë se ishte e pamundur për mua të  shprehesha qartë mbi realitetin e përshkruar më poshtë pa frazeologjinë-zhargon.- 

 

*****

 

Një eseist metropolitan shprehet  kështu: “Në kohë lufte rrjedh gjak e në kohë paqeje derdhet m…”

Ndërkohë hundët po më shpohen dhe gjendja e të vjellave po zgjatet pa mbarim. Kjo nënkupton se “paqja ramiziane” e pas viteve 90-të po më prish nuhatjen, shijen, sensin estetik sidhe po kompromenton ndjeshëm rrjetin kullues të ujrave të zeza. Shkurt punë m…i”-do thoshte ai eseisti.

Gra e vajza, burra e djem sillen rrotull e mundohen të jetojnë sa më mirë “paqen ramiziane”. Në port të pret “barktrashi” i doganës. Në aeroport gjithashtu të ngërdheshet ndonjë “barktrash” tjetër me pushtet dhe me “autoritet”. Ai “është i rëndësishëm” sigurisht. Aaaa! Pak rëndësi ka ku e merr rrogën. Në rrugë të gjobit pa të drejtë “barktrashi i rrugores”. Poshtë çdo pallati ka një bar të vogël lagjeje ku rri gjithë ditën ulur dhe të fikson me sy idioti “barktrashi i mëhallës”. Vazhdon rrjeti i “barktrashëve” të të shfaqet në dyqane, në kafe, në zyrat e administratës, panaire, qendra tregtare, në zyrat e partive politike, në parlament, në makinat e zyrtarëve etj. Mund të them pa fije hezitimi se edhe lypsat në këtë vend po bëhen me bark.

Fatkeqësisht, shpërfytyrimit që sjell barku i tmerrshëm i shtohet edhe një element tjetër antiestetik, koka e trashë dhe e qethur shkurt “për modë” si i thonë. Ndjehem ndërkaq në një gjendje surreale, si në ëndërr. Në një ëndërr të keqe që më projekton si vizitor të një kopshti të madh zoologjik, ku unë shëtis në këmbë dhe i pushtuar nga pasiguria shoh “kafshët paqedashëse” që shëtisin me fuoristrada e makina të shtrenjta, të cilat njeriu i prodhoi për vete e jo për ato, kafshët e veshura si njerëz.

 

Por ata nuk janë vetëm

 

Sipas tezës së pakundërshtueshme se çdo mashkull idiot ka dalë nga barku i një nëne të paemancipuar, vlen të theksohet se “barktrashët” janë vetëm njëra pjesë e komunitetit të madh të jashtëqitësve që nuk lodhen duke ngrënë e duke pasuruar qytetin me “humus”.

Si pjesë plotësuese e këtij kuadri shoqëror kemi femra të shëndetshme (them të shëndetshme vetëm për t’u treguar sadopak xhentil me seksin tjetër) të cilat edhe ato, të martuara ose jo me burra “shtatzanë” (barktrashë), pjellin dhe rrisin “barkaluca” të vegjël. Kështu edhe trashëgimtarët e vegjël të “paqes ramiziane” si hap të parë drejt jetës, ndërmarrin akumulimin e kalorive që kthehet përnjëherë në obezitet (mbipeshë).

Në këtë rrugë “paqësore” drejt trashjes, ecën i gjithë komuniteti ynë “trim, dembel dhe paqedashës”…  Dhe kështu pra, përpara o “paqedashësi” ynë barktrashë! Shko nga shtatë a tetë herë në ditë në banjë! Paçka se unë thërras: obobobobobo!.. dhe vdes e ringjallem çdo herë që kaloj mbi një pusetë të pambyllur në qytet, në ndonjë cep pallati, ose në mes të kryeqytetit, buzë lumit Lana, ku shoh organin industrialo-prodhues të ndonjë “paqedashësi” barktrashë. E shoh atë panoramë degraduese kur kaloj Urën e Madhe mbi Bulevardin Zogu I dhe gjithë urat e tjera të vogla e të mesme mbi lumin e “mrekullueshëm” Lana, që është fytyra e vërtetë e emancipimit ramizian. Shkatërrohem fare gjithashtu kur detyrimisht duhet të futem në banjot e ndonjë lokali publik. Aty, në “banjon-katedër”, ku “qartësohen” mendimet dhe shkarkohen sasi industriale “idesh paqësore” që më pas kthehen në “humus”.

E unë fatkeqi i paintegruar në këtë sistem “paqedashës” mbaj hundët me dorë për t’i shpëtuar virtualisht dhunës “aromatike” që më ofron “paqja ramiziane”. “Paqja” ka krijuar “mirqënie” sasiore e kështu barqet e të trashurve nga truri zmadhohen deri në atë pikë sa shkarkimi biologjik i tyre bëhet i papërballueshëm edhe nga vetë sistemi aktual i ujrave të zeza.

Kjo trashje, përveç barkut, shfaqet edhe në pjesën e mbrapme të kokës, aty ku krijohet ajo shtresa e tmerrshme e dhjamit, në kokën e qethur shkurt prej të burgosuri, që të bën të mendosh se ndodhesh në një kopsht zoologjik me gorrila e jo në një vend që konvencionalisht quhet qytet. Sepse  në të vërtetë, qytet nuk është.

“Paqja”, ky skenar ramizian që ka prodhuar trashje barku dhe trashje truri, na tregon se si drejtësia u anashkalua nga një domosdoshmëri shoqërore dhe politike, në një formalitet dhe “shkop politik”. Fatkeqësisht demokracia nuk gjeti dot djepin e saj, drejtësinë, pra nuk mundi të rritej e të zhvillohej. Si pasojë, tani kemi vetëm jashtëqitje pa fund dhe kolesterol të pashërueshëm. Kjo e gjitha, u vu në zbatim që ramiz “paqedashësi” të mos ballafaqohej me hijet e së kaluarës dhe me drejtësinë që duhej të bazohej në Istitucionet shekullore të së Drejtës.

Në këtë kohë “paqeje”, herë pas here derdhet ndopak gjak por edhe ai pak gjak që derdhet vjen erë të qelbur. Eshtë gjak “burri shtatzan” ose prostituti, si të doni quajeni, i cili për të patur “bukë, qofte, tav dheje, birra dhe maqinë”-siç shprehet ai vet, shiti qënjen e tij dhe gjithë botën që si dhuratë i erdhi nga Dikush tjetër.  Ndaj ky, “barkfryri ramizian”, si i tillë, me erën e keqe që përhap dhe ngjyrën karakteristike të gjakut “paqedashës” që anon nga kafeja e errët, është në sintoni dhe nuk i lëviz asnjë presje gjendjes asfiksuese në të cilën ndodhemi.

Me pak fjalë, unë them se nuk ka demokraci, nuk ka dije, nuk ka zhvillim, nuk ka kulturë. Nuk ka rini, nuk ka pleq, nuk ka femra, nuk ka edukatorë, nuk ka mësues, nuk ka nxënës. Nuk ka drejtësi, nuk ka parti, nuk ka ide. Nuk ka politikanë, nuk ka akademikë, nuk ka drita (nuk ka as fatura për dritat).  Nuk ka ujë, nuk ka as tuba ku të kalojnë ujrat, nuk ka pronësi, nuk ka hipoteka. Nuk ka treg, nuk ka ekonomi tregu, nuk ka “halle”. Pra janë të gjithë “rehat”.  Ka vetëm “paqe”, “barkderra” dhe “femra të shëndetshme” të cilët janë protagonistët e një sistemi që krijoi dhe po na imponon akoma sot “paqedashësi” ramiz. Të tjerët, ata që nuk duan dhe nuk pranojnë këtë lloj “paqeje”, nuk janë dhe nuk duhen integruar në sistem. Ata nuk quhen fare. Sigurisht, “është e natyrshme. Ata mund të largohen.”-predikojnë skenaristët pallatendërtues, “shtatzanët e privilegjuar” të shokut ramiz. Të gjithë pa përjashtim me bark të fryrë dhe këpucë të verdha me majë.

I bie që të largohen ata që nuk duan “paqen ramiziane”, ata që “nuk duan m…”, ata që nuk pranojnë ta shtyjnë jetën e tyre duke mbajtur hundët me dorë nga neveria që ndjell era e keqe e humusit dhe e vegjetimit kolektiv. Duhet të ikin ata që përçmojnë treçerekun e parlamentarëve, që përçmojnë “biznesmenët” ngjasues të gorrillave të cilët ecin me barkun përpara, me krahët hapur dhe me çelësat e fuoristradës në dorë, pa harruar këpucët turke me majë dhe me ngjyra nga më të çuditshmet (dominon e verdha dhe e bardha). Duhet të largohen ata që nuk pranojnë zhargonin e tmerrshëm pseudo-tirons, por që në të vërtetë rezulton të jetë një miks midis jevgjitçes dhe injorancës (këta janë të gjithë fëmijët idiotë të ish-kuadrove nga zona e parë ose e dytë operative).

Duhet të emigrojnë sipas këtij modeli “paqësor” pronarët që shohin se si në kohë “paqeje”, prona u grabitet nga ish-oficeri i sigurimit të ramizit i cili na konvertohet sa hap e mbyll sytë në një “biznesmen të nderuar” që ndërton pallate mbi pronën e tjetërkujt dhe aspiron më pas të kandidojë si deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë “paqe të mrekullueshme” ku sipas llogjikës “paqësore”, nuk duhen ndryshuar tekstet e fëlliqura shkollore të kohës enveriane, ka vend për gjithfarë “publicistësh”, “gazetarësh” dhe “opinionistësh”, rektorësh e dekanësh, por jo për veprat  e vërteta, jo për përkthime dinjitoze. Nuk ka vend për qytetarë, për elitarë, për pinjollë familjesh që së paku prej tre brezash kontribuojnë më shumë në çështjet publike se sa në interesat e tyre personale. Jo. Duhet të promovohet provincializmi asfiksues, primordial dhe grykës. Ai duhet të dominojë krejtësisht jetën shoqërore, publike dhe private. Kështu “paqedashësit ramizianë” nuk do na shqetësohen kurrë me çështje “të drejtash, ligjesh, pronash, grabitjesh, masakrash…” e të tjera si këto. Ata nuk duan “të japin llogari”. Kësaj bote “paqedashëse ramiziane” i duhen vetëm derra që shkojnë 7 a 8 herë në ditë në banjo, kriminelë të ricikluar në “biznesmenë”, deputetë të veshur me kostume ku dominon viza vertikale dhe me këpucë të verdha kartoni. I nevojiten kësaj bote të pështirë edhe pseudo publicistë të prodhuar në kohë “paqeje”. I duhen gjithashtu edhe pseudo-administratorë qytetesh që dinë vetëm të vjedhin parà dhe t’i shpërndajnë ato me kriter të studiuar mirë, domethënë për t’i depozituar nëpër barqe “burrash shtatzanë”. Më pas, po këta të fundit, paratë e kthyera në mish dhe hiper kalori, i shkarkojnë nëpër pusetat e shkatërruara të rrjetit kullues. Duhet patur parasysh se për këtë rang të “paarritshëm drejtuesish”, para do të thotë automatikisht “bukë, byrek, mish, pilaf, restorant, maqinë, celular…”.

*Kjo lloj “paqeje”, skenar i “paqedashësit” ramiz alia, e pranuar me cinizëm dhe kompromis nga disa ambasadorë dhe diplomatë të huaj që “ndriçuan” Shqipërinë gjatë këtyre viteve, mban era m… Dhe kjo nuk varet nga dëshirat personale ose sensi i lartë i nuhatjes së dikujt, por vjen si pasojë e indiferencës dhe asgjëbërjes kolektive, e vegjetimit fizik, e trashjes mentale dhe e degjenerimit moral.

Pikërisht për këtë “paqeje”, që u justifikua  dhe u  sponsorizua katërcipërisht, me pa të drejtë nga cinizmi dhe nga interesat e ngushta të disa “ambasadorëve fuqiplotë”(jo të gjithë) po imponon luftën. Po imponon luftën ndaj erës së keqe dhe ndaj barqeve të fryrë, ndaj barqeve që mbartin brenda tyre paratë e grabitura që ishin të destinuara për investime publike.

Hundët po më shpohen, më vjen për të vjellë dhe nuk dua të iki drejt ndonjë “paqeje” tjetër, fjala vjen në vende të tjera ku drejtësia çalon njësoj si këtu. Dua të luftoj dinakërinë e “shtatzanisë” ramiziane, injorancën “paqedashëse”, obezitetin kafshëror të fëmijëve grykës, humusin që barqet e tmerrshëm prodhojnë pa ndalim, kleptokracinë e huazuar dhe të përvetsuar në kohë rekord nga “njeriu i ri post diktatorial”. Dua të luftoj nëpërmjet ideve me “opinionistët” dhe “analistët” të cilëve po t’iu heqësh pjesën e prapme të fjalës, mbeten vetëm një copë prapanicë ku hyn e del çdo lloj “ideje”. Dua të luftoj me “gazetarët” që kanë për detyrë t’i thonë gjërat, të informojnë dhe jo të përtypen e të mbllaçiten duke pritur të ardhmen si nënpunësa publikë dhe më pas “me kismet” si deputetë të “nderuar”. *Dua të luftoj dhe të shkatërroj emrin e keq prej “shqiptari me brirë” që më vunë tërë këto vite politikanët “paqedashës” të ramiz antishqiptarit. Dua të luftoj kundër ndenjes ulur gjithë ditën në kafene dhe marrjes së rrogës qyl në administratën publike. Dua të luftoj kundër hermafroditëve të “sistemit” që donte dhe prodhoi “xha ramizi”, brenda të cilit nuk jam, nuk pranohem (sa mirë!), por që dua ta ndryshoj dhe të përfshihem. Dua luftën dhe çdo gjë rrjedh prej saj: gjakun, pasionin, vlerat, gjykatat, prokurorët, rjeshtin, rendin, ushtarakun dhe sigurisht zhvillimin e padiskutueshëm. Dua të luftoj që të shoh prokurorë, gjykatës e ushtarakë në punë e sipër duke justifikuar dhe pse jo, duke merituar rrogën e majme që iu ofron sistemi, edhe sikur për këtë të nevojitej hija e rreptë e atyre me grada, heronjve të vërtetë të kombit. Dua të shoh burgje plot me fajtorë dhe klube të boshatisur nga kriminelët “paqedashës” Sepse natyrisht, një krimineli që bën ç’i do qejfi dhe jeton i lumtur “paqen” dhe “shtatzaninë” ramizjane, nuk mund t’i kërkosh ta ndryshojë modelin e tij të jetesës.

“Paqja” po më lodh, po më prish shijen për ta parë botën plot me ngjyra e me poezi përpara një gote me verë. Rrugët e frymëmarrjes më janë infektuar keqas nga ndytësia që prodhojnë barqet e tmerrshëm “paqësorë”. Kjo edhe si pasojë e një elementi shtesë, i cili karakterizon kohët “paqësore”, pra djersës së lehtë që prodhon një “derr i mbetur shtatzanë nga birra, mishi dhe gënjeshtrat ramiziane”, i cili ha dhe jashtëqet gjithë ditën.

Për këtë motiv dua luftën, ideologjikisht, kuptohet. Dua të luftoj libraritë dhe bibliotekat më të varfra në Europë. Dua t’i pasuroj ato. Dua të luftoj rektorët, dekanët dhe botuesit me fizionomi të qartë paleolitase,  të cilët iu prezantojnë akoma sot konkurentëve të ciklit universitar, teste me pyetje nga lufta Nacional-Clirimtare dhe Konferenca e Mukjes. E tmerrshme dhe e pabesueshme për vitin 2005!

Po, po, dua “t’i dënoj me vdekje”, jo ata, por mësuesit e fillores që iu dhanë atyre dëftesën. Kuptohet, virtualisht dhe kjo ndodh në mungesë, për arsye të moshës së mësuesve mëkatarë, shumica e të cilëve nuk janë gjallë. Dua në këtë mënyrë, me luftë të përditshme dhe serioze të luftoj dualizmin e gjallesave njëqelizore të sistemit (shkrimtarë, publicistë, diplomatë) që bëhen gjithmonë dhe në çdo rast, “më katolikë se Papa”. Dua që me luftë, konceptesh natyrisht, të futen nëpër tekstet shkollore veprat më të larta të shqiptarëve, të shqiptarizmës dhe mendimit akademik botëror. Dua ujë të pijshëm, të pastër, me shije, të freskët dhe të rrjedhshëm. Nuk dua erë të qelbur paqeje postkomuniste.

Dhe për këtë preferoj luftën, djepin e institucioneve dhe rregullave shoqërore. Do preferoja të shihja “gjak” fajtorësh (virtualisht për të shprehur etjen për drejtësi) dhe jo fekale, sepse  sigurisht gjaku do të ngjallte pasionin dhe vlerësimin e gjërave tek njerëzit.

Në kohë lufte rrjedh gjak e në kohë paqeje derdhet m..!- thotë ai mjeshtri metropolitan.

Zgjidhni e merrni midis jetës plot dinamizëm, me “luftë” dhe përgjegjësi ose erës së qelbur dhe jashtëqitjes kolektive që krijon “paqja” vegjetuese.

mars 2005, Tiranë 

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s