SHQIPTARI-PRIFTI-ESTETI-POETI, DOM NDRE ZADEJA

DOM   NDRE ZADÊJA

 

                    AT  FULV  CORDIGNANOS

 

I.

Me thân’ se s’dijte ç’âsht votra e shqiptarit

e shtroja e tij me firi t’njomë e trûngu

nënkrejse e vrashtë illyre pranë zjarmit

gjith’her’ mikprit’s, nëpr’ ato biga e ahishta

ku bjeshk’t e nêmna derdhin lot rrëshine:

Me thân’ se at dor’ të lmut e t’shugurueme,

si tosk’ si geg’, pa farë idhní besimi,

s’ta puthi e s’ta shtërngoi si miku mikut,

por kryet ta vrau pse kok’ për kok’me tândin

shqiptari e ndeshi fatakeqi, rrehëm!

E pra ky derën dy kapak’sh ta çili,

si i t’shpis, dita me ditë ândjeve tua

bujar i erdh e gjurm’ për gjurm’ ndër shpêlla,

ku flêjn’ drangojt, drangûe aj vet’ të prini,

me krrab’ të vet çërmoi nëpër têrrina,

me lahut’ të vet këndoi pa mê pran’ téje,

me brisk të vet latoi me shkrojla t’vjetra

një shkop për ty. Patër Milan të quejti,

t’ ndêshi e t’përcuell, ké stani i vorfën t’prîni,

ngarkue me plaçka tua e me visare

t’njaj giuhe s’lasht’ qi namin ty ta rriti

ndër blêj qi nuk dijn’ mort. Ké stani t’prîni,

ku e pakundshoqe t’pritte bujarija

e grues shqiptare. E kur mbi letra tua,

lodhun s’kërkuemi, nji sy gjumë i knaqun

me bâ ti dojshe i patrazuem prej kujna,

cikën e lop’s ajo fisnike e mielte,

plotepërmaje ‘i kup’ me psheshatâmbël

para ta vête e, ksulën n’dorë, i zoti

i shpis’ “njelmo, njelmo, i bekue” me t’dhânun

e buk e krypë e zemër parashtrote.

Héu! Mirë uhan shqiptarit sot ja ktheve!

N’areopagun e letrarve t’tú

rrashtën e t’parve ton’ prej thesit nxore,

(at thés na vet’ ta mbâjtme e vet’ ta mbûshme!)

e si shpërblim plot e përplot me tamthin

e i’dhuni’s s’pashoqe né na paraqite

e “pini, pini, t’shkret’” i grishe evarshëm

Astyagjë i dytë Arpagut t’mjer’ shqiptar!

Arpagu n’darkë, o mizorí! Me mishin

e djalit t’vet do t’ngihet edhe n’rrashtën

e tij do t’pijn’…. i pvetun do t’përgjegjët:

“N’sofrën mbretnore çëdo gjellë a e shijshme!”

Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja

durés’ shqiptare, ti qi vuen pa zâ,

e brén pa u ndî, e kjân pa ankim, e thér

pa vrá, diftom’ pash Perëndin, a mundem

shqiptar i lirë Arpag i dyt’ m’u bâ

i shuem e i poshtër? Un me dije tânde

s’ due t’mbatëm, o letrar. Synon meshtari

meshtarin jo shqiptar, i thot’: Gabove!

Ujku don tym e mjegull. Rac’s illyre

ti ujk ju bâne, gjall’ ti ma përpine,

me at eureka t’çuditshëm ti e zbulove

nênin gordjan, me’i t’sjellme shpate e kpute,

e nji rras’ t’ré mbi vorrin e Shqipnis’

na vûne: Ktu pushon rraca ariane!

Rracë e stërkeqne, farë e manafikun,

skotë e përzieme hithâsh ariane

kênka Shqipnija? O témpora! O móres!

Gjurmues i thêll’, ti gjurmë Illyrjes s’vjetër

n’Shqipni s’i gjên? Mbi té përbé pra jemi,

mbi pluhun t’saj përbéhen pelikanat

e dërmishun ndër vuejtje mijvjeçare

dëshmor’ të padishmuem. Gjurm’ nuk i gjên?

e prá dikur i madhi i t’mdhejve Leka

n’Egjyptin e gjymtisun pik’ma s’pari

mbi ball’ t’Hetéjve ton’ s’kundroi habitun

emnin shqiptar? At emën t’nëpërkâmbun

nuk shkoi aj me e ringjallë? Ti gjurmë Illyrit

n’Butrintin tând nuk i gjên? E nuk kujtohe

se edhe n’shpi tânde dora e huej la shêjet

e ‘i gjytetnimit t’huej? Edhe n’shpi tânde

gjuha e përfolun s’kjé gjth’ herë e shkrueme?

Përmbi gërmadha t’hueja ndër pasojna

tejshekullore rrihi flet’t e tua,

Shqipe virgjin e Illyrve, e n’çerdhe tânde

çili ata zogj, rriti ata zogj e ndîelli

me gjuhën tande Illyre Shqipëtare!

Préja ti, Roma e Madhe, hovin Pirros,

rrudhja guximin, Rom’, Teutës zamâdhe,

Gencin shkodran’ shtërngoje me verig’ ari,

por jan’ verigat shêj se Rom’ a Roma (shêj – kêputë)

e Illyri Illyr. Verigat ja zgjidh’ Gencit,

i shkrijn, i bân kunor’, mbi krye t’Illyrit

besnik vetê ajo e vnon Roma e pavdekshme.

Na komb’ bastardh, na t’huej n’vend ton’, na préja

e votres sonë, emënharruem, rrugaca?

Rrugac, vasal, ushtar i blem me pare

edhe zamadhi Kastriotë i yni?

pse ‘i dit’ vetimshëm aj me shqipe t’veta

mbi Ardjen fluturoi, besën e dhânme

fronit t’ Partenopës me gjak n’Ursáre

n’vend për me çue si e ka zakon shqiptari?

E drejta a nji. Kjé Kastrioti i bindun

n’miqsi t’Venecjes s’lasht’, por pau Rozafa

Shpatën e tij e u dridh. Aj Kapidani,

Aj pararoja e krishtënimit t’ngûcun,

por edhe Mbret i Shqipënise Illyre.

Ti ndér’, ti t’drejt’ kurrkund s’i dhae shqiptarit.

Ç’e bâjm’ na t’gjallt’? Pse lodhna kot? Pse lypim

çka s’na përket? E ti djelmni, pse lnyre

për fate t’ardhshme t’Shqiptaris, kur n’shpatull

ná gjâ nuk kém, as komb’ as fis nuk jém?

Perjârgë a pênda e jote, Cordignano!

Me dâng’ të zez’ ti ja zhigate ftyrën

vedit e né. Por nuk jan’ dokrrat tua

qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin!

Nuk jan’ zbulimet t’tua çudiplote

qi e bâjn’ me kthye dalë ‘i fjal’ të folme,

nji dor’ vllaznisht të shtrime, ‘i bés’ të dhânme:

Shqipja Shqipës krahun ja dhâ, s’ja kputi.

Njikshtu shpnesojm’, njikshtu e dijmë. E t’bâni

goja me fol’ çka para téjet nieri

i gjall’ nuk thá? E t’bâni zemra shpirtin

pa i dalë endè ti me ja xjérr’ shqiptarit

me at styl të kuqun n’gji? I thérun n’zemër

vigmën aj sot e lshon…. Prej téje e nâmta

kupë e përmbyzne a derdhë e buka e thyeme

nuk njitët mâ. Hin fjal’ kah dole ‘hè gjoftë

rrféja mizore e hijevet Illyre,

nâma e nji kombit qi nuk humb’ si s’humbin

Shtyllat e Kapitolit tând! Prapóu,

ti hije e zez’, mos t’marrin mbrapa vigma

e t’parve ton’ prej vorrit, ku flên Fishta,

prej grope, ku pushon Frashëri e Mjedja

II.

Mjedja, Barbari i Madh, n’heshtjen e gjumit

t’vorrezave injacjane e luejti rrashtën

brahyçefale e prej dy rrathve t’humbun

Frombója i dyt’ dy sy vetoi si rrféja;

me grushtin e përtham e shkundi Pasin,

Jungun e t’amblin Gjenovic me vllazën,

akull ku n’préhje barasohen eshtnat

e t’strukunve nën dhé. E théll’ si deti,

ehéu! Nji gjâmë u ndi e përfrigueshme.

Ndigjom’, ti Cordignano, e veshin vénja

fjal’s qi po t’thâm: Nuk a zili degâmje

vargjet e mija qi frymzon, por ahti

i nji shqiptarit t’lirë, i shituem zânash,

pse i prekun n’tél, pse i thérun n’zemer, t’rámën

gati me e bâjt’ por t’shámen kurr. Harrohet

e s’harrohet çdo dhûn’ mbi tok’, por ndéri

për kombe a shêjt, si shêjt a gjaku i dêrdhun

për Atmë e Fé. Por, kurr nuk mund t’harrohët

oshtima e théll’ e shigjetve t’helmatueme

tridhetë e sa vjeçare, kur s’andejmi

shkodranit ftyrën me ja marrun déshte

me t’idhtin gaz e Shkodrën e rrëthueme,

(ku zogjt e shqipës s’parit syt i çilne,)

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave,

njât’her’ kur ûja flatrat e shpuplueme

ndête mbi né mortore e ankimi i zi,

me rrâjça n’goj’ kelkaze e madergone,

çilte vorreza t’reja n’për gardhîje;

kur nanën téme, ditë e zezë, e mblova

n’at syz’ lédine n’Rmâj, kur Taraboshi

e Lodertuna viellshin zjêrm çeliku,

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave!

Nanën kush e harron? Por Nana e Madhe

Shqipja dykrenshe Illyre u njâllte e lumja,

u njâllte. E pra ty Shkodra, Cordignano,

t’ bâjti e t’nderoi! Andërr a kjo ti thue?

A e din, a e din sa tâmb’l atdhedashtnijet

q’at ditë e sod ka derdh’ gjini i Rozafës

shkodrane? A e din, a e din se lojcë a fati,

por jo mizuer si ti? Se e vërvit’ peshën,

por si ti dorën nuk e mshehë? E s’paku

me rrashta e me kersij s’lot shkopecingël

si don me lujtun ti, tue çprush’ ndër vorre

amanet vorrit ç’âsht zakon me i lânun

të pa trazuem, t’pa fyem? S’harrohët shpota

mbi ata shqiptar’t e lashtë e meshatarë,

mprojtsa fatosa t’virgjinís s’ kërcnueme

e t’ fés s’ ligshtueme, qi ti m’i shgjetove,

kâllpa m’i qite. E pra njata rrëbeshit

salvimtar kalli vetun ballë i bâne,

njashtu si muejtne e dijtne, kurse ndjeksit

e Benediktit t’ Madh hanës drapnore

ju shmângne tui lân’ mbrapa troje e rrasa,

por monumente jo, sikur Barleti,

Buzuku i lashtë e Budi e émënmadhi

Bogdan’ i yni, ndéra e kohve t’ shkueme,

nám i pasosun i ksaj’ tok’s shqiptare,

ku ‘i drit’ ka mbet’ ndër zemra endè e pa shkîmun,

ku ‘i gac’ ka mbet’ ndër votra endè e pa shkrepun,

ku ‘i bés’ ka mbet’ ndër fise endè e pa çártun.

Ti misjonar, përmbi stomîjet shêjte,

vllazën na quejte e vllazën na përcolle,

por vrasës ti na dole! E, po, po, thue,

t’i lajnë uhat félshuesat e Shqipnisë

me priftën t’vet shqiptarë! E prá këta priftën

nuk ju përulne kurr çâllmës sulltane,

as shkopit t’carvet, por synuene Romën

Latine t’Papve fén edhe kombsinë

tuj mprojt’ her’ mbath’ her’ zdath’, edhe tiarat

përmbi fronet e lashta ipeshkëvnore:

Kur brûnxat flêjshin n’dhé e kur t’mbértisna

vashat shqiptare drejtë e syjshin trévën

shêjte t’zbulueme, gur’ për gur’ ku shêji

i mbledhjes s’tyne, qinda vjet me radhë,

krepatueshëm kumbon’t i xëvêndsote;

kur jashta murit t’that, pushkën për faqe,

burrat e dheut, xhúrdin e zez’ mbi krye,

vështojshin mos t’i xân pusí vezire

mbi ltér’ t’bekuem, ku dora e meshtarit

shqiptar n’bekim dukej e zhdukej para

se t’qitte synin rrezja e parë e diellit.

O misjonar’, kambsor’t e Naxarenit

n’detin e shqetësuem t’ kti krishtënimi

s’ bashkut me né, kush rretin e kush grepin,

me gjoj’ hyjnore dora dor’s ta mbushim

lundricën e Tinzot me at lajm t’frigueshëm

qi nierz përtrijn e kombe! Marrí njehët,

âjun kur Drini breg e m’breg vërsulet

e shkamba dyndë e m’ shpin’ përkund’ çináre,

bregut përpjet’ me i dhân’ rrëshanzës s’ vogël,

për t’ mbledh’ bërcakë e cokla e cingla t’ thata

pa ndonji vlér’. Grêth’ mundet m’u bâ bleta,

por marimanga blet’ nuk bahët lângun

pa e sjellun n’helm. Ta dijë koha e ardhshme

e lume o e mjer’ (me fatin kush mund kapët?):

Kanuja Illyre pronen edhe kullen

me kulm e me temel e gjan’ e gjallë

me ç’fryn e ç’ avullon ja digjte núri,

por armën lirshëm n’dor’ ja lête gjaksit.

Siell, Cordignano, n’dorë armën e ké:

Ndêshëm n’tryvezën shkencatare t’ presin

banor’t e botës s’ vogël primitive.

Kjémë çka kjém’ e jém çka jém. Zakonët

ti ruejmë Illyre e gjuhën t’papërlyeme!

Ndër duer t’virgjilta t’ çikave t’ fatueme

t’ përshkohen spikt, e pêjna leshi s’dredhun

t’ dalin të ri për tirqi si biluri,

e téja t’ fort’ si kanpi për buljera,

e kput’ t’ qindîsna n’ar për fatamirin

qi hylli do t’u sjell’ kur táta e lókja

n’ân’ ti vên’ shêj, njashtu si na lá i pari.

Njashtu si na lá i pari, çeta e lúme

e barijvet shqiptar’ n’ mallesa t’ veta

ogiçin para, berreve dihatse

t’u prijn ké mrizi plak mijavjeçari;

nën hije t’ tij t’këndojn kangën e vjetër,

t’shkruejn zogj me krah’ n’velgji prej s’ kuqi s’ pishës,

t’shkruejn flutra lloje lloje m’ furk’ shpatúke,

si lokja jau kërkoi Bardhën nuse.

(qi me e kërkue me pishë edhe me qiri

mana kûnd shoqen nuk ja gjên’); e t’ shkruejn

e t’ shkruejn edhe me gjak shêja vllaznije,

n’krahun e njom’ të njani tjetrit, gërmat

e vjetra t’nji kujtimi t’ lasht’ sa bota

e tyne Illyre. Bashk’ me hije t’ dirgjën,

prej muzgu, dhênt përpara tè konaku

t’u prrallë e tue këndue ‘i kang’ mbas krahit

qi sos’ përher’ n’ kushtrim. Çka thot’ kumbona,

or ju, n’ at Kish’ të lume, vetmitare?

Dita e misjonit! Mblidhën çeta çeta,

bûjen me u dá mikpritse misjonarve,

me u ba konak. Qé, siellet n’ héll’ ma i miri

dash për kumbon’. Prân’ spata kmesa e lavra,

prân’ dér’ n’ mullî çakallja, e dîng përmbushet

streha hyjnore e vorfën. Nisin zêmrat

rryeshëm m’u thy para s’ vërtet’s tronditse,

e besa bés’ m’u lidhë e i leshti parzëm

me lyp’ mëshrirë e dora dorën gjakse

për hatër t’ Drunit Shpërblimtar m’e puthun,

me t’ luejtun gjakut, ndërsa trina e s’majtës

cirkën e tér’ zbunûese. A lodhë, a thýe

Thráku barbar i yti, Cordignano!

Tashti , té votra shlodhu, o misjonar,

e n’ dritën e tymósun t’ pishtarit

shejó triumfe t’réja: sóse ditën

me syt e lodhun tui kërkuemun gërmat

e ufices meshtarake. S’a nevoja,

n’ kureshtën tânde shkencatare, synin

harû t’a lshojsh ndër rrath’t e atij vargoni:

a janë a s’jan’ këputë, e Lék’t e shqipës

a janë a s’janë Illyrë, a mos teprica

e ‘i rracës s’ bastardhueme? Nuk t’ka hije

me u ardhun hakut macave shpijake,

prushin mbi shpîn’ t’u grumbullue, gazit

pa dijt’ me i dhânun fund, kur ato t’mjerat

t’përzhituna n’térbim e merrshin iken.

Njikshtu m’kurriz’ t’ shqiptarve grumullove

gáca mbi gáca, Cordignano, e bota

veshin tá vûni e përmbi letra t’ mëndafshta

dorën kundroi leçitse albanofóbe.

Veprën e misjonarit lavdiplote,

ravën e kambve t’ tija koha e amshimi

me bindje e përkujton, por, vepra e jóte,

ravizë e zbét’ trathtije, a gjurmë gamilli,

qi vetun e përlán’ shtërgata e breshni.

1 9 4 2

jetëshkrimi:

Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër Më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916, ku bashkë me Sirdanin e Gazullin, si shumë meshtarë të tjerë u dhanë shumë mbas gjuhësisë. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldî. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, DomLazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane të lumnimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit. Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë“, “Hijet e zeza“; “Rrethimi i Shkodrës“, “Rozafa” etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta qysh me 16 gusht 1944 gjatë meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtue besimtarëve:

Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”

Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grí Dom Ndrenë!”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s