AT ANTON HARAPI , NJERIU – I KRISHTERI -ATDHETARI

-At Anton Harapi- …qëllim i jetës u bë interesi e jo ideali. Marrëdhëniet njerëzore nuk po kanë qëndresë. Njeriu modern nuk po e do as besën as dashurinë; thotë se do ta vendosë jetën vetëm në drejtësi. Po çfarë drejtësie është ajo që, veç mos mundtë, se s`le gjë pa berë?!”…
………….
Anton  Harapi per atdhetarizmin: … “Jeta moderne u bë një anije pa timon dhe pa kapiten në mes të dallgëve.” – e ky ishte vlerësimi i At Antonit. Duke e kritikuar bolshevizmin ai shprehej: “…pa Zot nuk do t`ia dal në krye punës, ashtu siç nuk ia dolën Enciklopedistët e Francës. Bolshevizmi, ashtu siç la njeriun pa Perëndi, do t`i lerë edhe pasuritë pa pronarë: mirëpo krejt si gjëja pa zot që vet më kot, ashtu edhe njeriu pa Perëndi, humbet në errësirë dhe në kotësi… E dini shume mirë, zotërinj, se sot spekulimet morale janë bërë modë, qëllim i jetës u bë interesi e jo ideali. Marrëdhëniet njerëzore nuk po kanë qëndresë: njeriu modern nuk po e do as besën, as dashurinë: thotë se do ta vendosë jetën vetëm në drejtësi. Po çfarë drejtësie është ajo që, veç mos mundtë, se s`le gjë pa berë ?!… Atdhetarizmi është profan për njerëzit e shpirtit dhe besimit, sikurse besimi për njerëzit civile dhe të kulturuar !”. Duke u thënë se ata gabojnë, shpjegon: “Zotërinj! Secili nga ju ka një profesion të veçantë; por nuk pushoni së qeni njerëz dhe së qeni shqiptarë… e kur arti, dituria dhe idealet tjera nuk na pengojnë të jemi atdhetarë, pse ai që ndjek idealin e besimit nuk do te mund të jetë shqiptar?” Ai si fetar e donte dhe e çmonte natyrën njerëzore dhe thoshte: ”…por kam tagre dhe detyrë shoqërore: jam fetar, e nuk rroj as në erë, e as në re, por në këtë toke që quhet Shqipëri, midis këtyre njerëzve që janë shqiptarët; jam fetar, e dua të mbaj marrëdhënie të ngushta me zotin, por gjaku shqiptar që më vlon ndër dej, shpirti shqiptarë që më frymëzon mendimin dhe fjalën, rrethi shqiptar dhe tradita shqiptare që, duke ma përshkruar anembanë jetën mendore dhe morale, shpërthejnë ndër hove të shpirtit, ndër ndjenja dhe zakone, mund të zhduken prej meje me sa mund të zhduket natyra; jam fetar, e ky fakt, sikurse nuk më ndalon aspak që të jem një njeri  përkryer, te kem dituri dhe kulture, ashtu nuk më pengon të jem atdhetar. Kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen me fe e atdhe, ai ka një kuptim të gabuar për atdhetarizmin.” Edhe Atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit… Nuk jemi të krishterë të mirë, pa qene njerëz të mirë, po të jemi nënshtetas dhe atdhetarë të dobët. Atdhetarizmi në kuptimin e krishtere është një virtyt i shenjte si drejtësia dhe dashuria.” Këtu shprehet qartë perceptimi i tij si person publik, si klerik katolik me detyrën e tij në raport me të qenit fetar dhe kombëtar, se ai nuk e ndante besimin e tij nga dashuria për atdheun. Pra të vërtetës, dashurisë, i shton edhe atdhetarizmin. Interpretimi që bën ai na fut në botën e tij ku nuk lë zbrazëtirë për të dyshuar në dashurinë e tij ndaj popullit të cilit i shërbente. Sipas qasjes se tij çdo teori a mësim, institut a besim që kundërshton idenë kombëtare, është antinjerëzore, antishoqërore dhe, duke qenë kundër natyrës, është edhe kundër arsyes, prandaj edhe i padrejtë, imoral. Atdhetarizëm do te thotë dashuri për njerëz, dashuri e sinqertë, dashuri vepruese, dashuri ideale… Atdhetarizëm nuk do të thotë ideal në tym, fjalë të mëdha kumbuese, ide te larta tërheqëse, hyjnizim teorik i shqiptarit dhe i kombësisë. Jo. Faktorët e idesë “atdhetarizëm” janë cilësitë e shpirtit tonë për theror (flijim), për detyrë, për vepra dhe bashkëpunim kundrejt atij vendi, kundrejt atij grupi njerëzish që quhen Shqipëri dhe shqiptarë, kundrejt atyre nevojave dhe dobive që na janë të përbashkëta… Atdhetarizëm nuk do të thotë interes dhe egoizëm, por do të thotë altruizëm, madhështi shpirtërore, fisnikëri ndjenjash, kontribut nderi, morali, kulture, diturie, arti, qytetërimi, duke filluar nga vetja dhe duke e shtënë edhe përhapur ne jete dhe ne mendësi te gjithë atyreve me te cilët e kemi të njëjtë thesarin e gjuhës e te shpirtit dhe lumturinë e jetës. Dëgjoni ç’na thotë neve feja (katolike): “Shqiptar, ti ke detyrë kundrejt atdheut, sikurse ke detyrë kundrejt prindërve dhe familjes sate, mosplotësimi i detyrave kundrejt atdheut është njësoj si mosplotësimi i detyrave kundrejt nënës dhe babës, si e shkelura e një detyrë të domosdoshme… Ne emër te fesë së krishterë, po të them se edhe vdekjen duhet ta bësh po qe nevoja për idealin e atdheut.” Kjo është detyra dhe misioni i brezit të sotëm! Sepse duhet ta dimë mirë, një popull i përçarë është një popull i humbur.” Nëse e duam Shqipërinë, atëherë le të punojmë sa të jete e mundur më tepër për të futur dashurinë në mes të vëllezërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal. “Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar. Për mbatjen e qetësisë mes besimeve ai shtronte këto propozime:
1) Një bazë e vërtetë kundrejtë parimeve, pra secili në parimet e besimit të vet, apo siç e quante ai “intolerancë teorike dogmatike” ;
2) Dashuri të sinqertë mes njerzëve, shqiptarëve, një tolerancë fetare e naltuar deri në fisnikëri, që e quante edhe si tolerancë qytetare-shoqërore; drejtësi e reflektuar me ndërgjegje në ligje dhe këto edhe ndër zyrtarë që e quante tolerancë shtetërore-politike e që shpjegon asnjanësinë e shtetit përballë besimeve, si qëndrim antifetar, as ateist e as indiferent, por sipas motos “shteti Shqiptar e njeh Zotin por nuk anon për asnjë besim”, dhe se gjitha veprimet e shtetit duhet të shkojnë në atë drejtim që të forcohet sa më mirë qetësia fetare në Shqipëri.
Të gjitha këto rekomandime vinin duke u nisur nga fakti se ai mendonte se jetesa e përbashkët duhej të shihej “jo si përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na thotë mendja, do ta duejë vullndesa, do ndiejë shpirti, mendjes do t`flasë e vërteta…” Dhe për t’a realizuar vërtetë paqen e vëllazërimin duhet vetëm një gjë e vetme: flijimi. Pra kërkonte gatishmërinë për t`u flijuar për ketë ideal, duhet të flijohen pikëpamjet tona, fama jonë edhe vetvetja për te mirën e përbashkët. Ai u thoshte të krishterëve se nuk duhen bërë fli të tjerët, por “…të prijmë duke e flijuar veten”. Sepse, sipas tij, besimi i krishtere është burim flijimesh, sepse është besim dashurie. Dhe mu në këto kërkesa ne mund të nxjerrim edhe idealin e tij, atë që e përshkonte filozofinë e tij ndaj fesë e atdheut, ndaj njeriut e ndaj mëmëdheut. Këto ideale atë me vonë a do ta bëjnë vërtetë viktimë? Ai a do te flijojë edhe vetveten, a do të bëhet vërtetë shembull i flijimit për këto ideale? Ai këkonte të dallohet njeriu fanatik nga njeriu me karakter. Të dy ngulin këmbë për bindje të veten, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me një dallim: përderisa njeriu me karakter ngul këmbë për një parim të arsyeshëm, ai fanatik i mbetet qëndrimit të vet me apo pa arsye, njeriu me karakter tregon nje zotësi morale, përderisa ai fanatiku dëshmon një dobësi personale sepse edhe po ta shihte të pa arsyeshme atë të vetën nuk është i aftë ta tejkalojë pasionin e egoizmit, karakteri moral ka qëllimet e arsyes, fanatizmi nuk ka qëllim, ai vetëm verbon që të shtynë deri në vesin e egërsirës. Fanatizmi është anti njerzor, prandaj edhe antifetar dhe antishoqëror. Keshtu që për të jetuar vëllazërisht, nuk është e nevojshme të hiqet besimi, por heqja, largimi i  fanatizmës në besim.

– marrë nga gazeta DRITA, Prishtinë 15 shkurt 2015 –
p.s.
Maskarenjte duan te flijojne te tjeret per te perfituar ata vete. Kurse njeriu i paster, i krishteri, flijon veten per te tjeret. Ky eshte dallimi mes njerezve dhe maskarenjve ! Tek cila kategori futen Kadareja apo disa deputete meshkuj e femra qe promovohen lart e poshte?! Duhet te shtrojme pyetjen: “A jane keta njerez qe flijohen per te tjeret, apo jane thjesht marifetçinj te vegjel, maskarenj, qe bejne karriere mbi kokat e te tjereve, nga ata qe flasin bukur e presin shtrember ?!”.
(sh. i red. )

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s