PRO apo KUNDER ABORTIT?!

Parathenie:

Un personalisht jam KUNDER ABORTIT!

Albani

NËNË, MOS MË VRIT!

(Lexoje dhe transmetojua të tjerëve)

 

Miliona fëmijëve u mohohet e drejta për të jetuar, pasi vriten nga nënat e tyre dhe mjekët vrasës, me anë të abortit. Britma e heshtur e këtyre krijesave për jetën e mohuar duhet të kumbojë anembanë globit si një thirrje për ndërgjegjen tonë, të çdo njeriu. Shoqëria jonë nuk mund të quhet vërtet njerëzore, nëse vazhdon ta tolerojë këtë kasaphanë barbare të të pafajshmëve. Ligjërimi i abortit sot trumpetohet si arritje në fushën e të drejtave dhe lirive të gruas, po pak (ose aspak) flitet mbi të drejtën e çdo krijese njerëzore për të jetuar. Foshnja e palindur është qenia më e dobët, delikate, e pafajshme dhe e paaftë për t’u vetëmbrojtur, ndaj meriton të mbrohet nga të rriturit, qoftë edhe me sakrifica. Nëse njerëzimi nuk mbron më të dobëtit, ai është i destinuar të shkatërrohet, pasi dhuna sjell dhunë.

Në debatin mbi ndërprerjen e vullnetshme të shtatzënisë lindin shumë pyetje, të cilave shpesh u jepen përgjigje të gabuara, që synojnë keqinformimin me anë të shtrembërimit të fakteve.

Kur nis jeta njerëzore? Tashmë nuk ka dyshime se, që në çastin e ngjizjes, kemi të bëjmë me një njeri në formim. Shkenca na tregon në mënyrë të pakundërshtueshme se qeliza e parë njerëzore është një organizëm i ri, i ndryshëm nga ai i nënës, me një kod gjenetik të vetin, gjë që e dallon atë nga të gjithë njerëzit e tjerë. Procesi i shtatzënisë është i mrekullueshëm. Embrioni njerëzor rritet me shpejtësi tejet të madhe. Ai ushqehet nga gjaku i nënës, reagon ndaj dritës, zhurmave, nxehtësisë, të ftohtit si dhe ndaj gjendjeve emocionale të së ëmës. Rreth tri javë pas fekondimit, zemra e fëmijës së sapoformuar nis të shtyjë gjakun në deje. Në këtë periudhë shfaqet edhe korja e trurit. Lëvizjet e fëmijës janë të pranishme qysh në qelizën e parë, po në javën e gjashtë foshnja lëviz me tërë trupin, sikur të kishte lindur. Megjithatë, nëna këto lëvizje do t’i ndiejë në muajin e katërt ose të pestë. Në javën e tetë të shtatzënisë fëmija shtrëngon dorën, e merr lemza, qesh, qan, fle dhe zgjohet. Kur foshnjën nëntëjavëshe e kanë prekur në dorë, e ka mbledhur atë grusht. Shenjat e gishtërinjve do t’i shfaqen në javën e dhjetë e do t’i mbeten tërë jetën. Në javën e njëmbëdhjetë foshnja është sa gishti i madh i dorës së një të rrituri dhe duket si njeri i formuar në miniaturë. Fut gishtin në gojë dhe zhurmat e jashtme mund ta zgjojnë nga gjumi. Me metoda të avancuara janë filmuar reagimet e fëmijës ndaj ngacmimeve, që shkaktojnë dhimbje si dhe përpjekjet e tij për t’u mbrojtur e mbijetuar gjatë praktikimit të abortit. Duke vërejtur tiparet e foshnjave të abortuara, studiuesit nuk kanë më dyshime se qenia njerëzore është e aftë të vuajë shumë edhe para se të lindë. Teknikat abortive përfshijnë copëtimin e fetusit, thithjen dhe shkatërrimin e tij, helmimin me kimikate torturuese, apo nxjerrjen e tij me anë të operacionit dhe hedhjen në një kosh mbeturinash, ku i gjori shpesh lufton me vdekjen, duke marrë frymë me vështirësi, derisa jep shpirt. Këto krime makabre vazhdojnë të kryhen në këtë moment preciz, madje edhe në vende demokratike si SHBA. Nuk është rrëqethëse?

A është moralisht e pranueshme ndërprerja e shtatzënisë? Në rrafshin moral është diskutuar, nëse aborti mund të quhet një e keqe e domosdoshme, apo e keqja më e vogël. Legjislacioni i shumë vendeve e trajton ndërprerjen e shtatzënisë si një të drejtë të gruas. Po, nëse kemi parasysh se fëmija në zhvillim është qenie njerëzore, a mund të ketë të drejtë një nënë të vendosë, nëse kjo qenie duhet të jetojë apo jo? A duhet konsideruar jeta e fëmijës si kërcënim, duke e trajtuar, kështu, abortin si akt vetëmbrojtës? Fëmijët nuk kërcënojnë; ata kërkojnë dashuri dhe përkujdesje dhe, në kthim, na dhurojnë paqe, kënaqësi dhe gëzim të papërshkrueshëm. Fëmijët kanë të drejtë të gëzojnë mbrojtjen tonë, pavarësisht nëse kanë qenë apo jo të planifikuar e pavarësisht nga rrethanat e nisjes së shtatzënisë. Çdo qenie njerëzore është krijuar për të jetuar. Të gjitha fetë historike e dënojnë abortin si të papajtueshëm me vullnetin e Krijuesit, qëllim suprem i ekzistencës. I konsideruar mëkat shumë i rëndë, aborti prodhon një gjendje mallkimi, ndarjeje tragjike nga Zoti, me pasoja mjaft të trishtueshme për të gjithë ata që bashkëpunojnë në këtë tragjedi. Fitimi i miqësisë hyjnore dhe i gjendjes së bekimit vjen si pasojë e pendimit të thellë dhe e transformimit të brendshëm, gjë, që, me forcat thjesht njerëzore, është e pamundur. Në shumë shtete të zhvilluara është hequr dënimi me vdekje. Shpesh liderët evropianë shprehin keqardhje për ekzekutimet në Amerikë e gjetkë. Vërtet, edhe kriminelët kanë të drejtë të jetojnë. Madje edhe kafshët. Po foshnjat e palindura atëherë? Edhe për sa kohë njerëzimi do të vazhdojë ta praktikojë këtë genocid absurd, nën maskën e të drejtave të njeriut? A nuk janë hipokrite përpjekjet etike të atyre, të cilët bashkëpunojnë me krimin, duke mos dashur ta ndalojnë realisht? Po cili është në të vërtetë misioni i një mjeku? A nuk e detyron atë betimi i Hipokratit që ta mbrojë jetën prej momentit të fekondimit? Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë thotë: “Jeta e personit mbrohet me ligj” dhe neni 54 shprehet: “Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti”. Çdo fëmijë paraqet vlerën më të lartë, të pakrahasueshme me pasurinë materiale apo komoditetin. E të mos harrojmë se asnjë prej nesh nuk do të ishte i gjallë, nëse dikush do të kishte vendosur të na largonte me dhunë nga kjo botë. Jeta e të gjithë njerëzve, përfshirë këtu shkencëtarët, filozofët, artistët, politikanët, mendjet gjeniale, shpikësit, shenjtërit, bamirësit, simbolet e bukurisë fizike e shpirtërore, ka nisur nga një qelizë. Kush e di se çfarë është i destinuar të bëhet një embrion njerëzor? Me shumë dashuri, çdo person është potencialisht një dhuratë tejet e çmuar për tërë njerëzimin.

A mund të jetë vërtet i sigurt dhe pa rrjedhoja një abort? Përgjigjja është e prerë: JO! Sa herë kryhet një abort, prindërit e foshnjës së vrarë e ndiejnë zbrazëtinë e madhe që lë humbja e fëmijës. Rrjedhojat fizike dhe shpirtërore të abortit të provokuar janë të tmerrshme. Ndër pasojat fizike te nëna mund të përmendim: dëmtimin e pakthyeshëm të mitrës, vdekjen nga hemorragjia, lëndimin e organeve të saj të tjera (zorrëve, stomakut, gypave ovarialë etj.), sterilitetin (pamundësinë për të patur fëmijë), helmimin e gjakut, tromboembolitë (mpiksjen e gjakut në vena), prishjen e ciklit menstrual, paraqitjen e shtatzënive jashtë mitrës, shtimin e mundësisë për aborte spontane, rritjen e jashtëzakonshme të mundësisë për shfaqjen e kancerit të gjirit, prirjen për lindje të parakohshme ose të vonuar, atoninë e mitrës, pamjaftueshmërinë e placentës, rritjen e vdekshmërisë perinatale… Janë me mijëra femrat që vdesin si pasojë e aborteve të ligjshme dhe të paligjshme, po mjekët nuk i bëjnë publike shkaqet e vdekjeve. Edhe pilula abortive Ru486 ka pasoja të tmerrshme. Njihen raste të shumta vdekjesh si rrjedhojë e përdorimit të kësaj pilule, e cila, duhet thënë, shkakton dhimbje të forta fizike. Edhe spiralja dhe tabletat e ashtuquajtura kontraceptive shkaktojnë aborte, duke dëmtuar rëndë shëndetin e gruas.

Nëse pasojat fizike prekin vetëm nënën, ato psikologjike lëndojnë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë masakër mizore. Ndër këto pasoja rreshtojmë: depresionin, ndjenjën e fajit, keqardhjen, pagjumësinë dhe ëndrrat e frikshme, sulmet e shqetësimit, frustracionet, humbjen e vetërespektit, vetërrënimet psikike, ftohjen emotive, pesimizmin, ftohjen seksuale, rrënimin e marrëdhënieve familjare dhe në çift, simptomat e skizofrenisë, psikozat, humbjen e kujtesës, vështirësitë në përqendrim, humbjen e interesave dhe të dëshirës për të jetuar, shfaqjen e veseve, prirjen për të qarë shpesh, rënien e rendimentit në punë, pengesat në komunikim. Çdo individ e përjeton traumën e abortit në mënyrë të veçantë, por askush nuk e kalon pa vuajtur. Flitet për gra, të cilat dëgjojnë rrugëve të qarat e fëmijëve të tyre të masakruar, apo shohin shpirtrat e tyre, që u thonë: “Nënë, pse më vrave?”. Pasoja psikike përjetojnë edhe mjekët, infermjerët apo farmacistët abortues, të cilët janë shprehur se trauma është ndier edhe në familjet e tyre. Është i njohur rasti i gjinekologut gjenovez, që praktikonte aborte, i cili vdiq i vetëvrarë. Dhimbjen morale të dhunës së abortit, në mënyrë indirekte, e vuan e tërë shoqëria.

Ç’efekt ka ligjërimi i abortit? Kudo thuhet se aborti i ligjshëm i pret rrugën abortit ilegal. Veç faktit se është e palogjikshme të mendosh që, duke ligjëruar vrasjet, mund të zgjidhet problemi i tyre, duhet verifikuar, nëse ky argument qëndron. Në të gjitha vendet, ku aborti është ligjëruar, plaga e klandestinitetit nuk është shëruar. Kudo vazhdojnë të kryhen mijëra aborte klandestine. Ligjërimi i aborteve e ka shumëfishuar numrin e tyre, duke e lënduar edhe më tepër trupin e shoqërisë. Në mjaft vende lindshmëria është jashtëzakonisht e ulët edhe për shkak të aborteve. Pra, lipset doemos një zgjidhje për frenimin e fenomenit.

Çfarë duhet bërë? Këtu hapet një fushë e gjerë bisede, në të cilën të gjithë duhet të marrim pjesë aktivisht. Në radhë të parë le ta çelim më tepër zemrën ndaj dashurisë për foshnjat, le të bëhemi zëri i atyre që nuk mund të flasin. E gjithë shoqëria, që nga institucionet shtetërore e arsimore, bashkësitë fetare, organizatat joqeveritare e deri te familjet, duhet të angazhohet në favor të jetës. Jeta njerëzore është e shenjtë dhe çdo orvatje kundër saj, madje në secilën fazë të shtatzënisë, përbën krim monstruoz dhe mëkat tepër të rëndë. Bashkëjetesa sociale nuk mund të bazohet mbi eliminimin e të pambrojturve, ndaj i tërë sistemi ekonomik dhe kulturor të mbartë përgjegjësinë e krijimit të mirëqenies për të gjithë, të sensibilizimit, të informimit e të mbrojtjes së më të dobtëve. Veçanërisht shteti të kujdeset për gratë shtatzëna dhe nënat e reja, siç thotë shprehimisht neni 54 i Kushtetutës. Mjerisht sot ende një numër mjaft i madh njerëzish janë fare të painforumuar rreth çështjeve të edukimit seksual, shtatzënisë dhe abortit. E kjo edhe në vende të zhvilluara. Mosdija, egoizmi dhe varfëria shkaktojnë çdo mynxyrë.

Së fundi, dëshiroj të theksoj rolin e besimit dhe të lutjes. Është e pamohueshme se një besim i shëndetshëm te Perëndia dhe një jetë e vazhdueshme lutjeje ndihmojnë në gjetjen e paqes së brendshme, në krijimin e harmonisë familjare e shoqërore dhe në marrjen e vendimeve të drejta, të cilat ndonjëherë janë çështje jete apo vdekjeje. Jo dhuna dhe gënjeshtra, po Dashuria dhe e Vërteta do të na bëjnë të lumtur e të lirë nga çdo frikë e mallkim. Në mbyllje, dua të kujtoj fjalët ngushëlluese të Jezusit: “Mos u brengosni, pra, duke thënë: ‘Çka do të hamë? Çka do të pimë? Me çka do të vishemi?’. Për këto gjëra shqetësohen paganët. Sepse Ati juaj qiellor e di mirë se për çfarë keni nevojë. Kërkoni, pra, më së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e Tij dhe të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! Prandaj mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për veten. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i saj!” (Mateu 6,31-34).

NË EMËR TË JETËS, NË EMËR TË DASHURISË, NË EMËR TË FËMIJËVE, NË EMËR TË ZOTIT, NDAL GENOCIDIT NDAJ TË PAFAJSHMËVE! ASKUSH NUK ËSHTË PRONAR I NJË ZEMRE QË RREH!

 

Për informacione të mëtejshme rreth temës vizitoni faqet e shumta në internet, veçanërisht THE ABORTION GALLERY. Bashkëpunimi me njerëz vullnetmirë është kurdoherë i mirëpritur.

dritankoka@yahoo.it; cel.: 0683069936

9 mendime mbi “PRO apo KUNDER ABORTIT?!

  1. Excellent report, but noooooo not OsCommerce! I dose on tylenol when using OSCommerce so I can avoid the migranes. Check out Interspire, it’s what I have been using lately and it’s like a lighter edition of magento.

  2. I have to express my affection for your kind-heartedness supporting individuals that have the need for help with this particular idea. Your very own commitment to passing the solution along ended up being extraordinarily invaluable and have empowered regular people like me to get to their aims. Your helpful information indicates a whole lot to me and further more to my colleagues. With thanks; from each one of us.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s